Shkup, 2 Nëntor – Dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev natën e së dielës, menjëherë pasi u bë e qartë fitorja e thellë e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, ishte një epilog logjik dhe i pritshëm në një shoqëri demokratike. Sepse LSDM jo vetëm që humbi shumicën e komunave, por edhe dallimi në çdo komunë ishte i thellë, sa që në qytetin e Shkupit iu afrua shifrës 30 mijë vota. Dallimi i madh në vota, në rastin konkret e zhvleftësoi argumentin e proklamuar se disponimi i shprehur në zgjedhje lokale, nuk ka lidhje me disponimin e votuesve për pushtetin qendror.
Dorëheqja e Zaevit nga dy postet që i mban-kryetar i LSDM-së dhe kryeministër, pak a shumë u prit me normalitet tek strukturat e LSDM-së. Përveç si përgjegjësi morale për rezultatin e dobët, dorëheqja e Zaevit te një pjesë e opinionit u prit edhe si shprehje e qartë e revoltës ga ana e tij për moasktivizimin e strukturës partiake të LSDM-së në masë të nevojshme për të arritur rezultat më të volitshëm. Prandaj vendimi i tij në përgjithësi arsyetohej brenda strukturave të LSDM-së, me përjashtime të vogla, që më tepër bazoheshin në emocione. Deri në këtë moment nuk kishte asgjë dramatike në vendimin e Zaevit.
Mirëpo i habitshëm ishte reagimi i partnerëve shqiptarë të koalicionit, e më tepër ai i Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh se ka zhvilluar “bisedë të tensionuar” me Zevin shkaku i dorëheqjes. Pse është tensionuar Ahmeti dhe BDI nga dorëheqja e Zaevit, më tepër se bashkëpunëtorët e tij të afërt në LSDM, ende nuk është plotësisht e qartë. Por në opinion më së tepërmi përmenden tre shkaqe të mundshme:
Shkak për nervozën e habitshme të BDI-së nga dorëheqja e Zaevit mund të jetë “kryeministri i parë shqiptar”. BDI me premtimin për kryeministrin e parë shqiptar vitin e kaluar fitoi zgjedhjet parlamentare, kurse pas zgjedhjeve bëri kompromis të madh duke u futur në qeveri me premtimin se kjo kërkesë do të jetësohet vetëm në 100 ditët e fundit të qeverisë. Madje kur e vërejti se “Platforma e Blertë” nuk do të sjellë vota aq sa pritej, BDI shkoi edhe një hap më larg, duke paralajmëruar ‘rrëzimin e barrierave” edhe për presidentin shqiptar. Nëse tani, kur u premtua edhe presidenti shqiptar, BDI nuk arrin ta realizojë së paku premtimin për kryeministrin 100 ditor shqiptar, atëherë çdo premtim i kësaj partie në të ardhmen do të humbë në vlerë dhe besueshmëri. Një kryeministër dhe kryetar i ri i LSDM-së, vështirë se do ta respektonte marrëveshjen e Zaevit me BDI-në, aq më tepër kur brenda kësaj partie janë shtuar zërat se në zgjedhjet lokale paguan çmim të shtrenjtë mes tjerash edhe shkaku i koalicionit dhe afërsisë së madhe me BDI-në. Ky po që është një shkak serioz për brengosje brenda BDI-së!
Shkak tjetër mund të jetë se ndoshta BDI frikohet që me largimin e Zaevit nga posti i kryeminstrit dhe kryetarit të LSDM-së, do të krijohet destabilitet tek shumica parlamentare dhe do të largohen edhe disa parti të vogla nga koalicioni, duke iu bashkangitur një shumice të re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Është fakt se partitë e vogla, sado që fillimisht kanë shprehur lojalitet, megjithatë nuk po e ndiejnë veten komot sa duhet në koalicion me humbësin e zgjedhjeve te kampi politik maqedonas. Largimi definitiv i Zaevit do të mund të ishte një arsye shtesë për ta që të largohen nga koalicioni, me alibin se “ne marrëveshjen për koalicion e kemi pasur me Zaevin, kurse pas largimit të tij gjërat ndryshojnë”. Është fakt se Zaevi ishte “nyja lidhëse” e LSDM-së me partitë tjera të koalicionit, kurse VMRO-DPMNE tani është në pozitë të ju ofrojë më tepër se LSDM-ja.
E tani kur VMRO-DPMNE nuk ka obligim të respektojë parimin “fituesi me fituesin”, sepse këtë parim BDI e shkeli në vitin 2017 dhe mund të formojë qeveri me ASH-AA (ndoshta edheme Lëvzijen Besa) si dhe me parttë e vogla, BDI ka frikë se ikja e Zaevit mund të thotë edhe shkuarjen e tyre në opozitë. Kjo do të ishte një goditje për partinë e Ali Ahmetit para zgjedhjeve të cilat në vitin 2022 duket se do të jenë të pashmangshme.
Në BDI lavdërohen se rezultati të cilin e arritën në zgjedhjet lokale, përkthyer në deputetë sillet mes 16 deri 20. Atëherë parashtrohet pyetja se pse BDI nuk pajtohet me dorëheqjen e Zaevit dhe të kërkon zgjedhje të parakohshme ku do të fitonte kaq shumë deputetë? Shkaku i parë është ai që e përmendëm më lartë, se pa “kryeministrin shqiptar” BDI ska se çka kërkon në zgjedhje parlamentare. Një “gjysëm kryeministri” që po paralajmërohet pa u votuar në Kuvend, por vetëm me marrjen e detyrës nga Atan Grubi, shqiptarët e kanë pasur që në vitin 2002 në emrin e zotëri Qemal Musliut. Ai para 19 viteve u bë shqiptari i parë që ushtroi teknikisht detyrën e kryeministrit, sepse sipas ligjit kryeministri i atëhershëm Lubço Georgievski duhej të japë dorëheqje formale, për të marë postin e deputetit që e kish fituar në zgjedhjet parlamentare. Në periudhën nga dorëheqja e Georgievskit e deri në formimin e qeverisë së re (asokohe nga Branko Cërvenkovski), Musliu ishte kryeministër teknik.
Pastaj me humbjen e dy kryeqendrave si Tetova e Gostvari, BDI është e vetëdijshme se në zgjedhjet parlamentare vështirë mund të fitojë aq deputetë sa tregojnë projeksionet e bëra me rezultatet e zgjedhjeve lokale. Aq më tepër kur kjo parti ka gjasa të humbë edhe pozicionet e veta në drejtori të fuqishme në qytetin e Shkupit, si dhe në komunat e Kumanovës, Gazi Babës, Butelit dhe disa komun tjera ku jetojnë shqiptarë, por zgjedhjet i kanë fituar kryetarë të VMRO-DMNE-së në koalicion me Aleancën dhe Alternativën. Sigurisht që udhëheqësia e BDI-së është e vetëdijshme se në zgjedhje të reja parlamentare nuk mund të shkojë pa reforma të brendshme, sepse struktura vështirë se mund të aktivizohet nëse nuk bëhen ndryshime që garantojnë se pas zgjedhjeve pozitat kryesore do t’i fitojnë kuadrot meritore, e jo ata që vetëm i humbin vota partisë, siçndodhi pak a shumë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.