Shkup, 5 nëntor – Kryetarja e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi, sot kishte fjalimin e saj në konferencën “Kthim efikas i pronës në përputhje me standardet evropiane”, organizuar në kuadër të vizitës së kryetarit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Roberto Spano.
Në fjalimin e saj, kryetarja e theksoi rëndësinë e Konferencës për sundimin e ligjit dhe promovimin e të drejtave të njeriut në përputhje me Konventën Evropiane.
Në këtë kuptim, kryetarja e Gjykatës Supreme të RMV-së, theksoi se gjyqtarët dhe prokurorët publikë që punojnë në këtë fushë përveç legjislacionit vendor, duhet të kenë njohuri solide, respektim dhe zbatim të standardeve ndërkombëtare.
“Në gjykatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e veçanërisht në Gjykatën Supreme, në Departamentin për vepra penale, gjyqtarët në vendimet e tyre, përveç dispozitave të ligjit vendor, zbatojnë edhe dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa i referohen edhe praktikës së Gjykatës Evropiane. Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka marrë vendime me të cilat vërtetohen vendimet e gjykatave më të ulëta për konfiskimin e pronës së personave të dënuar dhe të tretëve të cilëve u është bartur ajo pronë, duke zbatuar nenin. 98 paragrafi 3 i Kodit Penal, por edhe me zbatimin e drejtpërdrejtë të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane, sqaroi kryetarja Ademi.
Gjithashtu theksoi në fjalimin e saj se kthimi i pronës është i një rëndësie të madhe për të luftuar me sukses krimin që nuk vepron vetëm në nivel lokal, por është një problem rajonal dhe ndërkombëtar që kërkon një qasje kaq komplekse, duke harmonizuar masat kombëtare kundër korrupsionit dhe kthimit, ku harmonizimin e njohim si qëllim themelor të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në zbatimin e Konventës dhe jurisprudencës së gjykatës.