Shkup, 4 nëntor – Aktualitetet lidhur me arsimin e lartë në universitetet shtetërore në vend në funksion të procesit arsimor në kushtet e pandemisë, praktikës së autonomisë, përpunimit financiar dhe sfidave studentore – ishin temat e debatit publik të organizuar nga Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.
Në takimin, për të cilin informoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, morën pjesë kryetari i Këshillit, prof. Todor Serafimovski, rektorët e të gjitha universiteteve shtetërore dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska.
Ministrja theksoi se kanë pasur rastin të debatojnë për çështje të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë, të cilin të gjithë së bashku përpiqemi ta bëjmë më cilësor, më të mirë dhe më tërheqës për studentët vendas por edhe të huaj.
“Jam e bindur se konkluzionet nga ky debat, të cilat kanë një rëndësi të madhe, do të zbatohen drejtpërdrejt në promovimin e universiteteve shtetërore në vendin tonë. Institucionet dhe institutet e arsimit të lartë dhe shkencorë kanë vërtet një staf cilësor dhe të përkushtuar. Dëshmi për këtë janë profesorët universitarë që u përfshinë në përgatitjen e proceseve reformuese në arsimin fillor. Kjo tregon se institucionet tona të arsimit të lartë janë të gatshme për t’u përballur me sfidat e vendosura nga ndryshimet e shpejta në mbarë botën dhe përshtatja e menjëhershme ndaj tyre, tha Carovska.
Siç kumtoi MASH, ajo theksoi se pandemia ka vendosur sfida të reja në vendin tonë që kërkojnë një qasje dhe organizim tjetër të punës, por edhe në këto kushte, tha ajo, “vazhdojmë me ndryshime pozitive që çojnë në arsim më të mirë në të gjitha nivelet, përfshirë edhe arsimin e lartë”.
Theksoi se MASH-i e ka ndryshuar politikën e bursave për të krijuar një staf që do të merret me shkencë dhe hulumtim. Për herë të parë u vendosën bursa për ciklin e tretë të studimeve për profesione të caktuara deficitare prej 18.000 denarë për 12 muaj të vitit, ndërsa pas një dekade të tërë janë kthyer edhe bursat për studime pasuniversitare në vend në shumë prej 9.000 denarë në muaj, për nëntë muaj në vit. Gjithashtu, pjesa më e madhe e bursave për ciklin e parë të studimeve universitare janë rritur me rreth 80 për qind, si dhe është futur një vakt studentor i subvencionuar për të gjithë studentët me kohë të plotë në universitetet shtetërore dhe private në vend.
Ministrja vuri në dukje se është duke u përgatitur një ligj i ri për kërkimin shkencor, nga një grup punues me përfaqësues të të gjitha universiteteve dhe instituteve shkencore.
“Jemi të përkushtuar për ndërtimin e një sistemi që do të sigurojë vazhdimësi në investimin në shkencë. Përqindja e BPV-së e ndarë për shkencën duhet të rritet dhe t’i afrohet mesatares evropiane, tha Carovska.
Rektorët e përshëndetën iniciativën për mbajtjen e këtij debati dhe, siç thekson MASH këto takime duhet të bëhen praktikë e rregullt, pasi është mënyra më e mirë për të shkëmbyer mendime dhe për të krijuar një strategji për hapat e mëtejshëm.
Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor është krijuar për të siguruar, vlerësuar, zhvilluar dhe përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe është i pavarur në punën e tij dhe vendos brenda kompetencës së tij bazuar në parimin e ekspertizës dhe kompetencës.
Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, mes të cilëve profesorë nga të gjitha fushat shkencore, studentë dhe anëtarë të Odës Ekonomike dhe përfaqësues nga ASHAM.