Qytetarët e Nikaraguas votuan të dielën në zgjedhjet presidenciale të denoncuara nga presidenti amerikan, Joe Biden, si një “mashtrim”, pasi udhëheqësi Daniel Ortega i cilësoi kundërshtarët e tij – shumica prej tyre të burgosur ose në mërgim – si “terroristë”.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00, (ora 1 e të hënës sipas kohës së Evropës Qendrore) pas 11 orë votimesh nën syrin vigjilent të 30,000 policëve dhe ushtarëve, që ruanin atë që grupet e të drejtave të njeriut e përshkruan si një “klimë frike”.
Me shtatë sfidues të mundshëm presidencialë të arrestuar që nga qershori, 75-vjeçari Ortega siguroi mandatin pesë vjeçar, të katërtin me radhë dhe të pestin në në përgjithësi, me gruan dhe nënpresidenten e tij, Rosario Murillo, 70 vjeçare, pranë tij.
Daniel Ortega u përball me pesë pretendentë presidencialë, por vetëm në emër, meqë të gjithë janë bashkëpunëtorë të regjimit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një deklaratë se rezultati ishte “montuar” shumë kohë përpara zgjedhjeve “të rreme” të së dielës.
“Ajo që presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega dhe gruaja e tij, zëvendës presidentja Rosario Murillo, orkestruan sot, ishte një shfaqje që nuk ishte as e lirë, as e ndershme, dhe sigurisht jo demokratike”, tha presidenti Biden, duke shtuar se dyshja tani drejton Nikaraguan “si autokratë”.
Ish-heroi i guerilëve, Daniel Ortega, sulmoi sërish kundërshtarët e tij të dielën, duke thënë se “këtë ditë ne po qëndrojmë përballë atyre që nxisin terrorizmin, financojnë luftën, përballë atyre që mbjellin terror, vdekje”.
Ai iu referua atyre që që morën pjesë në protestat masive kundër qeverisë së tij në vitin 2018, të cilat u shtypën me një goditje të dhunshme, që u mori jetën më shumë se 300 vetave në vendin më të varfër të Amerikës Qendrore.
Rreth 150 vetë janë burgosur që atëherë, përfshirë 39 udhëheqës të opozitës që u arrestuan që nga qershori në prag të zgjedhjeve të së dielës.