Shkup, 9 nëntori – Të dielën do të zhvillohet raundi i tretë i zgjedhjeve lokale në Dibër. Kjo është e vetmja komunë ku ende nuk është zgjedhur kryetari, sepse më 31 tetor pati rivotim në një vendvotim, ku nuk u caktua fituesi i zgjedhjeve, sepse sipas shumë vlerësimeve doktor Bekim Pocestës i munguan rreth 10 vota për të festuar fitoren.
Vendimi në Dibër sillet më 14 nëntor. Tash dibranët e BDI-së me padurim e presin aktivizimin e Artan Grubit. Presin që zëvendëskryeministri i parë t’i veshë patikat e gjelbra dhe të dalë në teren, për të korrur fitore.
Presin që me ndihmën e Grubit të fitojnë ashtu siç fituan në Gostivar dhe Vrapçisht, ku Grubi luante “vallen” SRMN me patika ët gjelbra. Presin që me ndihmën e Grubit të fitojnë në Dibër, ashtu siç fituan edhe në Tetovë, Zhelinë e Studeniçan. Patikat e tij të gjelbra, me siguri do t’i sjellin fat Hekuran Dukës, ashtu siç i sollën fat Bejtës, Arifit, Dokit të Zhelinës…
Jo vetëm kaq. Aktivistët e BDI-së në Dibër presin që bashkë me Grubin në komunën e tyre të zbarkojnë edhe gazetarët dhe portalet e tij të afërta, me të cilat korri sukses në komunat e lartpërmendura (Tetovë, Gostivar, Vrapçisht, Zhelinë e Studeniçan). Shkrimet dhe analizat e këtyre portaleve pa dyshim që do t’ua mbushin mendjen dibranëve që të votojnë Hekuran Dukën, por me numër “6”, ashtu siç ua mbushën mendjen votuesve të Tetovës e Gostivarit.