Radja Nainggolan u ndalua dhe u arrestua nga policia. Ngjarja ka ndodhur në Belgjikë, në Antwerp, ku lojtari u transferua vitin e kaluar. Një patrullë policie e ndaloi futbollistin teksa po drejtonte një Mercedes të tijin.
Siç zbulohet nga “Nieuwsblad”, ish-lojtari i Romës, Interit dhe Cagliarit nuk kishte leje drejtimi të vlefshme. Në gusht 2021 ai ishte penalizuar me heqje patente për drejtim mjeti me shpejtësi të lartë, më pas Nainggolan nuk e mori dot provimin për t’ia kthyer lejen e drejtimit.
Wouter Bruyns, zëdhënës i policisë së Antwerp, tha se Nainggolan ishte tashmë në “radarët” e policisë: “Ai nuk e mori provimin për kthimin e patentës, u arrestua dhe u dërgua në postën përkatëse policore për t’u marrë në pyetje. Makina e tij u sekuestrua”.
Futbollisti u la i lirë menjëherë pas marrjes në pyetje dhe tashmë do të duhet të përgjigjet për këtë krim në gjykatë.
Tani për tani, Antwerp ka preferuar të mos komentojë dhe të shtyjë masat disiplinore ndaj futbollistit të vet. Zëdhënësi i klubit, Erwin Van den Sande, tha thjesht: “Ne do të flasim fillimisht me Radja”.