Shkup, 2 shkurt – Deri në zgjedhje kemi edhe tre muaj, por që tani mund të themi se do të jenë mjaft interesante dhe specifike. Këtë përshtypje nuk e kanë vetëm analistët e gazetarët, por edhe qytetarët, respektivisht votuesit. Mbi të gjitha këtë përshtypje e ndajnë edhe vetë politikanët. Krijimi i dy blloqeve të forta politike, kyçja e Lëvizjes Vetëvendosja, zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptarë, janë disa risi që do të shënojnë periudhën parazgjedhore të vtit 2024 dhe që e bëjnë të dallojë esencialisht nga fushatat e deritanishme parazgjedhore, së paku në bllokun politik shqiptar, shkruan Zhurnal.
Periudha parazgjedhore do të jetë tejet specifike edhe tek kampi politik maqedonas, ku për herë të parë një parti hyn me përparësi aq të madhe ndaj tjetrës, sipas anketave, por se deri në zgjedhje do të përdoren të gjitha mjetet që rezultati të barazohet, ose edhe të përmbyset.
Na presin zgjedhje dhe fushat interesante
Poashtu pas një kohe mjaft të gjatë në historinë pluraliste të Maqedonisë së Veriut, kemi situatë “2 plus 2” te blloku politik maqedonas, ku përveç blloqeve të udhëhequra prej VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, gjasa për të formuar grup parlamentar (së paku me 5 deputetë) anketat u japin edhe dy subjekteve tjera politike: Levicës proruse të Dimitar Apasievit dhe partisë së sapoformuar ZNAM të kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Krejt kjo i jep një kolorit dhe origjinalitet zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, që ka munguar gjatë kohë në vendin tonë.
Kuptohet se ky kolorit është i mirëseardhur për demokracinë në vend, sepse qytetarët kanë më shumë mundësi për të zgjedhur. Nga ana tjetër kur gara politike është më e barabartë, atëherë pesha e votës dhe votuesit është më e madhe. Në situatë të tillë, që siç duket do ta kemi në zgjedhjet 2024, në qendër të vëmendjes është votuesi, e jo partia politike, apo kryetari i partisë politike. Në procese të tilla zgjedhore vjen në shprehje autoriteti i qytetarit, respektivisht votuesit, e jo autoriteti i kryetarit, ministrit, deputetit, drejtorit, apo kryetarëve të degëve e nëndegëve.
Krej këto që i numëruar më lart, janë parakushte që gjatë fushatës vijuese zgjedhore, por edhe në ditët zgjedhore të kemi një avancim të proceseve demokratike, aq të nevojshme për shoqërinë tonë pluraliste.
Kështu duhet të jetë, por ndodh shpesh që gjërat në Maqedoninë e Veriut nuk janë ashtu siç duhet të jenë. Sepse jemi dëshmitarë edhe të dukurive negative, që paralajmërojnë tensione e presione të mundshme. Kjo mund të parandjehet mes notave të këngëve të disa politianëve, e që për fat të keq, assesi nuk mund t’i quajmë “nota evropiane”.
Nuk ka fare nevojë që këngë arkaike të përdoren për të fituar pikë politike në stilin “e kam një qen lara lara, kush del para i humb fara”, sepse ato vetëm se mund të paralajmërojnë tension, që nuk i nevojitet askujt, e më së paku dikuj që është i bindur se do t’i fiton zgjedhjet.
Politikanët duhet të kenë mjaft kujdes dhe të ruhen nga bashkëpunëtorët e këshilltarët që ju “sviratin” (interpretojnë muzikë) në këtë stil dhe assesi të mos këndojnë sipas muzikës së tyre. Në këtë stil nuk e frikësojnë askënd, sepse RMV është vend kandidat për anëtarësim në BE, por vetëm se mund të humbin vota dhe të mobilizojnë qytetarët të votojnë për kundërshtarët e tyre, që zaten edhe ka ndodhur në proceset e kaluara zgjedhore.
Nëse e përsëritin gabimin e njëjtë, kundërefekti në zgjedhjet e vitit 2024 me siguri do të jetë edhe më i thellë se në zgjedhjet e kaluara. Prandaj në vend të këngëve arkaike, më mirë ëshhtë të përveshin mëngët dhe të dalin para qytetarëve të numërojnë projektet që kanë realizuar dhe që kanë ndërmend të realizojnë. Jo vetëm me fjalë, por të na tregojnë raste konkrete ku kanë ndërtuar fabrika, ku kanë ndërtuar rrugë, ku kanë ndërtuar autostrada… Duhet të bëhen të sinqertë dhe të tregojnë sa të rinj kanë ikur nga vendi si rezultat i politikave të gabuara, e sa janë kthyer si rezultat i politikave të suksesshme. Mos të tentojnë të fshehin asgjë, sepse këtë nuk e preferon votuesi, që ka mundësi çdo ditë e më tepëpr të shohë shkolla, klasë e banka të zbrazura në vendlindje.
Assesi të mos bëjnë gabim duke u munduar që premtimet e parealizuara t’i paraqesin si suksese historike, sepse këtë votuesi e urren më së tepërmi dhe dënon subjektet që bëjnë diçka të tillë. Më mirë e kanë që për dështimet të kërkojnë falje të sinqertë dhe të betohen se nuk do të përsëriten në të ardhmen, e ndoshta ndonjë votues u beson. Në të kundërtën votuesi vetëm se irritohet më tepër dhe jep votë ndëshkuese për subjektin ose subjektet në fjalë.
Liderët politikë, në kuptimin e plotë të fjalës, duhet të paraqiten me një fjalor që tregon respekt dhe tolerancë si ndaj votuesit, poashtu edhe ndaj kundërshtarit. Nuk është fundi i botës nëse një parti bie nga pushteti, e tjera vjen në pushtet, sepse kjo është pjesë e demokraisë. Kjo është pjesë e proceseve që çojnë para gjendjen e përgjithshme, e assesi nuk mund t’i shkaktojnë dëm një shteti apo një populli. Vullneti i votuesit duhet të pranohet pa asnjë rezervë dhe nuk guxon të ketë asnjë tenim për të manipuluar këtë vullnet. Politikanët gabojnë, por votuesi gjithmonë ka të drejtë! Ky është parimi kryesor që duhet ta kuptojë secili që don të kyçet në garë! Nëse kjo nuk kuptohet, e kotë është pjesëmarrja në garën zgjedhore. Për këtë arsye zgjedhjet duhet të jenë festë për vendin dhe për qytetarët, e jo burim tensionesh e presionesh!/Zhurnal