Shkup, 2 nëntor – Për sa kohë që Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ecën në rrugën e integrimeve evropiane, Lëvizja Besa do ta mbështesë, tha lideri i partisë Bilall Kasami në emisionin “Histori e vërtetë” në televizionin shqiptar Njuz 24.
“Për ne, integrimi në BE është prioritet mbi prioritetet. Jemi të gatshëm t’i tejkalojmë të gjitha dallimet e thella me BDI-në. I vetmi faktor që na mban të bashkuar në këtë Qeveri është integrimi në BE. Për sa kohë që kjo qeveri të vazhdojë rrugën e integrimit, ne do ta mbështesim”, tha Kasami.
Ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut nuk mund të jetë një ishull i izoluar dhe duhet të ketë bashkëpunim me partnerët perëndimorë, duke akuzuar BDI-në se është “bllokues i integrimit”.
“Dhjetë vite VMRO dhe BDI e kanë bllokuar integrimin. Koalicioni i Lëvizjes Besa me LSDM-në nga viti 2017 solli edhe dy mandate për formimin e qeverisë”, shtoi Kasami.
Duke iu referuar zgjedhjeve lokale në të cilat ai u zgjodh kryetar i ri i Komunës së Tetovës dhe deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme dhe zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, se rezultatet e zgjedhjeve e konfirmuan Bashkimin Demokratik për Integrim si partinë më të rëndësishme dhe më të madhe ndër shqiptarët në vend, Kasami tha se pozicioni i BDI-së është si në kushte në Shqipëri ta humbi Tiranën, ndërsa të fitoni në Peqin, një qytet në qarkun e Elbasanit me pak më shumë se 6000 banorë.
“Kemi siguruar shumicën edhe në Këshillin e Komunës (Tetovë). Me të gjitha partitë e tjera dhe listën e kandidatëve të pavarur kemi shumicën e nevojshme për të udhëhequr këshillin komunal”, tha Kasimi si mysafir në emisionin përmes video-konferencës.
Ai shtoi se Besa në mandatin e kaluar ishte opozitë e BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës, ndërsa në Qeveri janë bashkë për integrimet evropiane të vendit.
“Osmanit i vjen keq që në Tetovë nuk e kanë pasur mbështetjen e VMRO-së, siç ishin mësuar dhe më pas i akuzon të gjitha partitë tjera për bashkëpunim me VMRO-në”, tha Kasami, duke shtuar se Besa është një parti properëndimore, e cila angazhohet për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.