Hakerët të cilët e mbështesnin valën e protestave kundër autoriteteve iraniane e ndërprenë transmetimin e drejtpërdrejt televiziv, duke emetuar një fotografi të liderit suprem ajatollahut Ali Hamnei, me objektiv në ballë.
“Gjaku i të rinjve është në duart e juaja”, ishte porosia që shkurtë kohë u paraqit në transmetimin televiziv mbrëmë, derisa protestat vazhduan në Teheran dhe qytetet e tjera të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini.
Në intervenime të tjera, aktivistët në bilborde në Teheran shkruanin “Vdekje për Hamnein” dhe “Policia është vrasësi i popullit”.
“Policia përdori gaz lotsjellës që ta shpërndajë turmën nga disa lokacione në Teheran”, njoftoi agjencia shtetërore IRNA, duke shtuar se protestuesit “brohorisnin parulla dhe gjuanin dhe shkatërronin prona publike, duke përfshirë edhe kabina të policisë.
Protestat janë përhapur në të gjithë Iranin që nga vdekja e Aminit më 16 shtator, tre ditë pasi ajo u arrestua në rrugët e kryeqytetit për shkelje të kodit të veshjes. Demonstratat e para filluan një ditë pas vdekjes së vajzës në qytetin e saj të lindjes, Sakezu, më pas u përhapën në të gjithë vendin dhe u bënë sfida më e madhe për qeverinë konservatore në vitet e fundit.
“Bashkohuni me ne dhe ngrihuni”, shkruante në aktin e dytë të sulmit, pas të cilit qëndron grupi Edalat e Ali.
Grupi publikoi edhe fotografi nga Amini dhe tre gra të tjera të cilat humbën jetën në shtypjen e protestave.
Organizata për të drejtat e njeriut në Iran thotë se në protesta deri më tani kanë humbur jetën të paktën 95 persona.
Edhe 90 persona ishin vrarë në pjesën juglindore të vendit, në protestat më 30 shtator të shkaktuara nga dhunimi i një adoleshenteje në provincën Sistan – Balluxhistan. Në mesin e gjithsej 185 të vrarëve ka të paktën 19 fëmijë.