Shkup, 6 nëntor – Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) përmes një kumtese ka reaguar në lidhje me informatën se lideri i opozitës së VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka shumicë të re parlamentare me disa parti.
“Ka deputetë që nuk duan të hyjnë në pakt me nazistët dhe fashistët e “Së majtës” e cila është hapur kundër NATO-s. Ne u bëjmë thirrje atyre të bashkëpunojnë dhe të mbajnë një qëndrim të përgjegjshëm në anën e opsionit demokratik. Nëse vërtet do të ketë një shumicë të re parlamentare, presim që ajo të konfirmohet përmes procedurave të duhura parlamentare dhe zgjedhjes eventuale të qeverisë së re. Do të thotë, do të shohim nëse do të zgjidhet një qeveri e re antidemokratike, antiPrespës, anti-NATO dhe kundër BE-së”, ka reaguar LSDM-ja.
“Shumica e re eventuale do të duhet të marrë përgjegjësinë për përballjen me pandeminë dhe krizën energjetike, përgjegjësinë për sfidat që pasojnë me integrimin evropian të vendit dhe miratimin e buxhetit për vitin 2022, që është më i përgjegjshmi për momentin. Këto ditë do të shohim nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi për këto hapa. LSDM është në anën e qytetarëve, në anën e interesit kombëtar dhe të përparimit të shtetit. LSDM nuk do të lejojë destabilizimin e vendit, anulimin e Marrëveshjes së Prespës, sherre të reja me fqinjët dhe anulimin e gjithçkaje që kemi arritur së bashku me qytetarët në katër vitet e fundit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.