Shkup, 12 nëntor – Oda ekonomike e Maqedonisë – Turqisë (MATTO) të hënën do të jetë nikoqire e kompanive anëtare të Odës ekonomike dhe industriale të Edrenes, Republika e Turqisë.
Siç thonë për MIA-n nga MATTO, janë paraparë takime bilaterale me komunitetin afarist nga Edrene, ndërsa vizita është në kuadër të njohjes me klimën afariste dhe investuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe mundësisë për bashkëpunim në disa sektorë.
Në mesin e kompanive do të dominojnë ato nga sektori bujqësor-ushqimor.
Në periudhën janar – gusht 2021 vendi realizoi këmbim të përgjithshëm tregtar me Republikën e Turqisë në vlerë prej 472 610 000 dollarëve amerikanë që është për 46,1 për qind në krahasim me periudhën e njejtë vitin e kaluar. Eksporti në Turqi paraqet 90 525 000 dollarë që është rritje për 57, 4 për qind, ndërsa importi është rritur për 43,6 për qind dhe paraqet 382 085 000 dollarë.
Turqia është partnerja e shtatë tregtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Greqisë, Serbisë, Kinës dhe Bullgarisë.
Këmbimi tregtar sipas prodhimeve tregon se në eksport më e madhe është pjesëmarrja e katalizatorëve të mbajtësve me metale fisnike apo bashkëdyzime të tyre, pako të përçuesve për ndezje, për automjete, aeroplanë apo anije, pjesët e ulëseve dhe feronikli. Në import më shumë janë të përfaqësuara metalet e tjera nga grupi i platinit dhe legurat e tyre, të papërpunuara apo në formë të pluhurit, prodhime qeramike për përdorim laboratorik, kimik dhe industrial, platini dhe legurat e platinit, vajrat e naftës dhe vajrat e përfituara nga minerale bitumenoze (përveç të papërpunuara).