Shkup, 4 nëntor – Ministria e Vetëqeverisjes Lokale sot përmes komunikatës kërkon nga të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi dhe theksoi se nuk do të lejohet punë e kundërligjshme e këshillave.
“Duke marrë parasysh mënyrën e konstituimit të këshillave të sapozgjedhur në disa nga komunat dhe dhënien e betimit solemn nga anëtarët e sapozgjedhur, e lidhur me zbatimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale jep këtë mendim: Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Kapitullin 1. Dispozita themelore, neni 8, paragrafi (1) alinetë 3 dhe 9, si një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcakton sundimin e së drejtës dhe vetëqeverisja lokale. Sipas nenit 51 të Kushtetutës, “Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat tjera me Kushtetutë dhe ligj. Secili është i detyruar t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.
Nga Ministria sqarojnë se amendamentet XXXIII, XXXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i miratoi dhe i shpalli në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2019. Në përputhje me amendamentin XXXIII të Kushtetutës, fjalët: “Republika e Maqedonisë” zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, dhe fjala “Maqedonia” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
“Ligji kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë në nenin 1 paragrafi (1) përcakton se “Amendamentet XXXIII deri në XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në Rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e vlefshmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe krijimin e një partneriteti strategjik në NATO-s në Faqen e parë të Marrëveshjes përfundimtare”, theksohet në kumtesën.
Sipas Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, në përputhje me nenin 2 paragrafi (1) i këtij ligji, “Dispozitat e Amendamentit XXXIII në rregullat dhe aktet tjera të organeve shtetërore do të zbatohen nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Në nenin 6 i të njëjtit ligj është përcaktuar se “Këtë ligj kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII deri në XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë e shpall Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe hyn në fuqi me ditën e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese”.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë nr. 36/2019 ka shpallur se “Kushtet e parashikuara me Vendimin për shpalljen e amendamenteve XXXIII, XXXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë janë plotësuar edhe amendamentet XXXIII, XXXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i ka miratuar në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2019, hyjnë në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019. Me hyrjen në fuqi të amendamenteve kushtetuese XXXIII, XXXXIV, XXXV dhe XXXVI, hyn në fuqi edhe Ligji kushtetues për zbatimin e amendamenteve nga XXXIII deri në XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e miratoi në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2019”, shprehen nga Ministria.
Prej atje shtojnë se Ligji për vetëqeverisjen lokale, si ligj sistemor që rregullon çështjet që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale, në nenet 37 dhe 38 përmban dispozita me të cilat përcaktohet mënyra e konstituimit të këshillit.
“Në përputhje me nenin 37 të këtij ligji, “Seanca e parë e këshillit të sapozgjedhur thirret nga kryetari i përbërjes së mëparshme jo më vonë se 20 ditë nga dita e përfundimit të zgjedhjeve. Nëse këshilli nuk mblidhet në afatin nga paragrafi 1 i këtij neni, anëtarët e këshillit mblidhen vetë dhe nën kryesimin e anëtarit më të vjetër të këshillit e formojnë këshillin në afat prej dhjetë ditësh pas skadimit të mandatit nga paragrafi 1 i këtij neni. Nëse seanca nuk mbahet në afatin nga paragrafi 2 i këtij neni, do të shpallen zgjedhje të reja për anëtarët e këshillit në mënyrën e përcaktuar me ligj. Në nenin 38 të ligjit të njëjtë është përcaktuar obligimi i detyrueshëm i anëtarëve të këshillit për të dhënë dhe nënshkruar deklaratë solemne, në përputhje me përmbajtjen e përcaktuar në këtë ligj. Në përmbajtjen e kësaj deklarate janë përfshirë fjalët “Republika e Maqedonisë” meqë nuk është bërë ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe nuk është i harmonizuar me amendamentin XXXIII”, thuhet në kumtesën.
Ministria thekson se duke marrë parasysh faktin se Kushtetuta është akti më i lartë juridik në shtet, ndërsa normat kushtetuese kanë efektin më të fuqishëm superior juridik, respektivisht sipas nenit të cituar 51 të Kushtetutës të gjitha ligjet dhe rregullat duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, është e padiskutueshme që fjalët “Republika e Maqedonisë”, në përputhje me amendamentin XXXIII të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe është e padiskutueshme se përdorimi i këtyre fjalëve, respektivisht përdorimi i emrit kushtetues të shtetit në të gjitha rregullat dhe aktet e organeve shtetërore fillon me ditën e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese, respektivisht nga 12 shkurti i vitit 2019.
“Duke marrë parasysh të lartpërmendurën, rezulton qartë se përdorimi i emrit kushtetues të shtetit zbatohet drejtpërdrejt në rregullat dhe aktet, e me këtë të zbatohet drejtpërdrejt edhe në nenin 38 të Ligjit për vetëqeverisjen lokale, duke krijuar detyrim gjatë zbatimit të këtij neni të përdoret emri kushtetues i shtetit, gjegjësisht të përdoren fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut” në deklaratën solemne që do ta japin dhe nënshkruajnë anëtarët e sapozgjedhur të këshillave. Çdo përdorim i fjalëve të tjera, përveç fjalëve “Republika e Maqedonisë së Veriut” në deklaratën solemne bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si akti më i lartë juridik në hierarkinë e rendit juridik”, sqarohet në kumtesën e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.
Nga Ministria e theksojnë edhe detyrimin ligjor të anëtarëve të sapozgjedhur të këshillit për të dhënë dhe nënshkruar deklaratën solemne, në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën, si akt formal, i cili së bashku me verifikimin e mandatit janë të nevojshëm për përfshirjen e plotë të anëtarëve të sapozgjedhur të këshillit në punën e këshillit.
“Në këtë drejtim, përmendim Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të regjistruar me U.nr. 115/2006, më 20 dhjetor të vitit 2006, në përputhje me të cilin sipas vlerësimit të Gjykatës “deri në momentin e dhënies së deklaratës/betimit solemn, ai person ka cilësinë e anëtarit të Këshillit dhe mund të marrë pjesë në seancat e Këshillit, prania e tij është relevante për numrin e nevojshëm për punë të Këshillit të Komunës/njësisë së vetëqeverisjes lokale, por për shkak të mungesës formale nuk ka të drejtë të marrë vendime, gjegjësisht nuk ka të drejtë vote”, shprehen nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.
Sipas Ministrisë, duke marrë parasysh pasojat e dëmshme që mund të rezultojnë nga mosfunksionimi i këshillave, përkatësisht komunave, si dhe pasojat e dëmshme që cenojnë reputacionin ndërkombëtar të shtetit dhe cenojnë rendin juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës dhe marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, është e domosdoshme që kryetari i komunës, për anëtarët e Këshillit dhe administratën komunale t’i përmbahen Kushtetutës dhe ligjeve në pjesën e detyrimeve të tyre.