Shkup, 23 dhjetor – Ende po priten arsyet konkrete për fatkeqësinë me autobus që ndodhi në Bullgari, e ku humbën jetën 45 persona. Prokuroria bullgare paralajmëroi se hetimi është kah fundi, e ekspertizat e fudnit pritet të jenë të gatshme ditëve në vijim. Si arsyeja më bindëse deri tani është gabim njerëzor. Prokuroria e Maqedonisë ende nuk zbulon nëse në vend do të kërkohet përgjegjësi nga transportuesi që ka organizuar rrugëtimin e ku shkuan por nuk u kthyen nga shëtitja 45 pasagjerë, transmeton Zhurnal.
Hetimi po udhëhiqet nga autoritetet bullgare pasi fatkeqësia ndodhi në tokë bullgare. Por prokurorët e Maqedonisë i kanë siguruar të gjitha dëshmitë që deri në këtë moment janë kërkuar nga hetuesit bullgarë.
“Bashkëpunimi vazhdon deri në zbardhjen e rastit dhe vërtetimin e arsyeve të tragejdisë”, thonë nga Prokuroria.
Paralelisht me këtë, Prokuroria e Shkupit po vepron në lëndën ku ka të bëjë me subjektin juridik – organizues i udhëtimit, gjegjësisht firma Besa Trans. Më tepër detaje nuk publikohen që të mos dëmtohet procesi i hetimit.
Hetuesit bullgarë si arsye të mundshme dhe më të besueshme thonë se është faktori njeri, gjegjësisht shoferi nuk e ka përshtatur shpejtësinë në kushtet e rrugës. Edhe pse sinjalizimi i dobët mund të jetë gjithashtu arsye, hetimi thotë se ato sinjalizimi nuk mund të kishin qenë shkaktarë dhe vendimtarë për tragjedinë. Autopsia thotë se të gjitha viktimat kanë vdekur nga ngulfatja dhe jo nga goditja e autobusit në bankinë, gjegjësisht kanë vdekur kur është shkaktuar zjarri.
Sarafov, prokuror bullgar shprehet se shoferi është dashur të përshtatë shpejtësinë e autobusit sepse atë natë ka qenë moti pak me shi dhe sipas tij, çdo shofer me përvojë duhet ta përshtatë shpejtësinë sipas kushteve në rrugë. Sipas tij, autobusi ka qenë në lëvizje me mbi 90km në orë.
Deri tani hetimi thotë se autobusi për shkaqe të panjohura ka goditur gardhin mbrojtës që e ndanë rrugën dhe pushimoren. Nga goditja është shpërthyer rezervoari i derivatit, është shkaktuar zjarr dhe vetura ka përfunduar mes dy gardheve mbrojtëse në mes të dy kahjeve të autostradës.
Familjarët nga ana tjetër presin përgjigjie dhe përgjegjësi për atë që ndodhi. Ata humbën më të dashurit e tyre.//Zhurnal.mk