Shkup, 5 nëntor – Qëndrimet e qeverisë dhe opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mbeten të pandryshuara. Qeveria pohon se shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje, ndërsa opozita mendon se qeveria është delegjitimuar pas humbjes në zgjedhjet lokale dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të domosdoshme me qëllim që vendi i gatshëm të përballet me sfidat ekonomike dhe energjetike që e presin. Pas dorëheqjes së paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev, në koalicionin qeveritar janë duke u zhvilluar bisedimet për mandatarin e ri për kryeministër. Ende nuk ka informacione nëse do të ketë ndryshime në përbërjen e Qeverisë.
LSDM rithekson se shumica parlamentare është stabile dhe se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
“Me muaj të tërë Hristijan Mickoski e ka gënjyer popullin se vetëm sa nuk e ka formuar shumicën e re parlamentare. Gënjeshtra e Mickoskit doli në dritë, nuk ka shumicë të re parlamentare. Shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe përgjegjëse për të ardhmen e shtetit dhe të popullit. Kjo shumicë parlamentare nuk do ta rrezikojë vendin dhe nuk do të votojë për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare. Shumica do të angazhohet për reforma që vendi të ecë përpara në zgjidhjen e pasojave të pandemisë dhe përballimin e krizës energjetike dhe fillimin e negociatave me BE-në”, theksojnë nga partia.
LSDM dhe koalicioni, siç theksojnë, nuk do të lejojnë që VMRO-DPMNE dhe Mickoski të rrezikojnë Marrëveshjen e Prespës, të na fusin në grindje të reja me Greqinë dhe fqinjët e tjerë, të na sjellin në konflikt dhe urrejtje të brendshme dhe në këtë mënyrë ta kthejnë atë në të kaluarën e errët të regjimit.
Nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, thonë se pasi që katër ditë pas shpalljes së dorëheqjes, Zaevi ende nuk e kishte dorëzuar në Kuvend, ai përsëri gënjeu dhe pyesin nëse thjesht dëshiron t’i shpëtojë përgjegjësisë dhe të amortizonte pakënaqësitë e popullit, për të thënë më vonë se nuk do të tërhiqet.
“Zaev e shtyn shtetin në pasiguri me veprimet e tij që ta mbajë karrigen me çdo kusht. Populli e rrëzoi Zaevin nga froni. Zaev nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet. Zaev duhet të largohet, por jo vetëm ai, por e gjithë struktura me të. Dorëheqja e Zaevit dhe zgjedhjet e reja parlamentare duhen një orë e më parë”, thonë nga partia.
Vetëm me zgjedhje të reja, shtuan ata, do të reflektohet vullneti i qytetarëve në Kuvend, pas së cilës do të formohet një qeveri që do të ketë bazë të qartë për realizimin e reformave dhe projekteve.
Këto ditë, pas dorëheqjes së paralajmëruar të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, nga jashtë pati reagime se çfarë do të thotë kjo për vendin dhe rajonin.
Dje AFP, në një koment shkruan se opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi kryeministri Zoran Zaev deklaroi se do të japë dorëheqje pas rezultateve të dobëta të partisë së tij në zgjedhjet lokale, komentoi AFP zhvillimet e fundit në vend. “Paralajmërimi i befasishëm i Zaev it vendosi një pasiguri të re në skenën politike ballkanike, ku autokratët njihen për konsolidimin e pozitave të pushtetit dhe ku dorëheqjet vullnetare janë një gjë e rrallë”.
Në komentin, pjesë të të cilit transmeton BGNES, theksohet se në kushtet kur kryeministri Zaev ende nuk e ka shpallur datën e largimit, kur pasardhësi i tij nuk dihet dhe ka konfuzion të shtuar, partia opozitare VMRO-DPMNE propozon zgjedhje të shpejta parlamentare, duke pretenduar se vetëm nëpërmjet tyre do të sigurohet një lëvizje e qëndrueshme përpara.
“Paralajmërimi befasues i dorëheqjes dhe rezultateve të këqija të partisë së tij LSDM në zgjedhjet e fundjavës së kaluar, erdhi pas disa muajsh rënie të popullaritetit të kryeministrit, pasi ai luftoi për të mbajtur ekonomi normale të vendit të prekur nga pandemia e Kovid- 19 dhe në kushtet kur negociatat për anëtarësimin eventual (të vendit) në BE janë në ngecje”, vlerëson “Frans Pres”.
Agjencia thekson se pasi Zaevi paralajmëroi se planifikonte të jepte dorëheqjen, aleatët e tij politikë kërkuan nga ai ndryshimin e vendimit, duke e vlerësuar atë si të nxituar dhe duke kujtuar se koalicioni qeverisës i LSDM-së “me partinë më të madhe që përfaqëson pakicën etnike shqiptare ende ka shumicën në Kuvend”.