Shkup, 20 maj – E rëndësishme është që Qeveria e re të respektojë gjitha marrëveshjet që janë arritur për progresin e vendit e për këto marrëveshje ka pasur edhe garantues ndërkombëtarë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre padyshim në dobi të vendit dhe për të qenë garancë e pa diskutueshme pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në ekzekutiv. Pra, përbërja e qeverisë së re nuk është aq e rëndësishme sa është e patjetërsueshme që gjithë partnerët qeveritarë njëzëri të rreshtohen drejt respektimit dhe zbatimit në përpikëri të marrëveshjeve që i kanë hap rrugën e progresit vendit. Nacionalizmi si retorikë ka kuptim në fushatë por pas fushate duhet nacionalizmi të zëvendësohet me racionalizëm konstruktivë për të garantuar zhvillimin e vendit, paqe dhe stabilitet, shkruan Zhurnal.
Ambasadorja gjermane përçon porosi që RMV duhet padyshim të respektojë Marrëveshjen e Prespës –
Në intervistën për “360 gradë”, pas përfundimit të zgjedhjeve të dyfishta presidenciale dhe parlamentare, ambasadorja gjermane, Petra Dekseler, shpjegon se cilat janë pritshmëritë e Berlinit nga presidentja e re dhe nga qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE. Sipas saj, e rëndësishme është që qeveria e ardhshme të vazhdojë drejtimin e qartë strategjik në politikën e jashtme të vendit dhe të zbatojë me vendosmëri dhe besueshmëri hapat e nevojshëm në rrugën drejt BE-së.
Në pyetjen se a ndryshon diçka në qëndrimin e Gjermanisë ndaj vendit pas zgjedhjeve që sollën një ndryshim tektonik në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, ajo thotë se Gjermania gjithmonë do të jetë mbështetëse e vendit.
“Para së gjithash, dy vendet tona janë të lidhura nga një partneritet i sigurt: si aleatë të NATO-s ne jemi të lidhur ngushtë, pastaj përmes lidhjes së ekonomive tona, përmes shkëmbimeve të ngushta në të gjitha nivelet në shoqëritë tona, për shembull, dhe përmes parlamentet. Dhe, natyrisht, ne duam të kemi bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, e cila ende nuk është formuar. Do të jetë e rëndësishme nëse qeveria e ardhshme do të vazhdojë drejtimin e qartë strategjik në politikën e jashtme të vendit dhe do të zbatojë me vendosmëri dhe besueshmëri hapat e nevojshëm në rrugën drejt BE-së. Besoj se mund të mbështeteni te Gjermania që të vazhdojë të mbështesë menjëherë vendin tuaj”, tha Dekseler.
Ajo shton se Gjermania është shumë e vetëdijshme për përpjekjet e mëdha që Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë tashmë në procesin e anëtarësimit në BE, duke shtuar se përvojat e këtij procesi kanë një efekt të mëvonshëm në shoqëri.
“Mendoj se do të bëhet problem kur skepticizmi të kthehet në dorëheqje. Ndonjëherë kam përshtypjen se besimi në efikasitetin e veprimit politik në vend në tërësi është i ulët. Për të rifituar këtë besim, ata që do të mbajnë përgjegjësinë politike për vendin në të ardhmen do të duhet t’i kthejnë me zgjuarsi dhe energji reformat dhe premtimet e shpallura në veprime”, tha Dekseler.
Kujtojmë që, reagime për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”. Ndaj këtij veprimi menjëherë reagoi pala greke, opinioni vendas dhe ndërkombëtar, çka bëri që presidentja e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska Davkova të pranojë t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues. Reagimet janë edhe si pasojë e fitores së VMRO-së e cila vazhdimisht është shprehur kundër kësaj marrëveshjeje.
Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Vendi gjithashtu ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005 dhe fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë.
Vendi në udhëkryq sa më parë të filloj qeveria me punë –
Pas çdo gare është e rëndësishme që sa më parë të dihet dhe kuptohet arsyeja e garimit jo vetëm për të kënaq apo plotësuar egot e ndokujt por për të dëshmuar ndryshimin apo vazhdimin e rrugëtimit në drejtim të përmirësimit të gjendjes së qytetarëve. Prandaj, sa më parë duhet të vazhdohen punët aty ku kanë ngelur. Fushata e zgjedhjet përfunduan tani është koha që të dëshmohet që ky vend ka njerëz dhe kapacitet për t’i çuar proceset përpara drejt një jete më të mirë për të gjithë pa dallim
Sfidat në të cilat ka kaluar vendi janë dëshmi që asgjë nuk është e pamundur ajo që duhet është vetëm vullneti pozitiv për të bërë ndryshim drastik në vendin ku mëse i nevojshëm është i ndryshimi. Nëse dikur ka qenë e pa imagjinueshme futja e vendit si anëtarë i Aleancës më të fortë ushtarake në botë, sot është realitet, nëse dikur ka qenë e pa besueshme që vendit mund t’i ndërrohet emri dhe të vazhdohet tutje procesi integrimit evropian, sot është realitet.
Nëse sot tingëllon çuditshëm që kjo qeveri në ardhje nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, nesër do të jetë realitet. Ajo që nevojitet është mos krijimi i dramave pa nevojë që po u ndryshua kushtetuta shembet vendi. Jo, nuk ndodhë asgjë e keqe dhe e dëmshme për vendin ndodhë hapja e rrugës dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt BE-së.
Me ndryshimin e Kushtetutës a do të hyjmë në BE? Sigurisht që jo, na presin akoma punë e reforma të shumta në shumë fusha të ndryshme por ajo që ndodhë sigurt është dëshmia që ky vend ka vullnet politik për tu bërë anëtarë i familjes së madhe evropiane. Pra, nuk mjaftojnë vetëm sondazhet apo deklaratat duhet edhe vepra konkrete.
Çdo veprim i guximshëm sot është dëshmi dhe përpjekje për krijimin e një të ardhme të mirë nesër. Pra, politikanë vizionar janë ata që mendojnë e veprojnë për gjeneratat e ardhshme dhe jo sot për sot. E kjo është dëshmuar dhe do të dëshmohet padyshim edhe tutje se ka njerëz që brengosen për gjeneratat që vijnë, ka njerëz që synim kanë zhvillimin dhe progresin në gjitha fushat në tërësi. /Zhurnal.mk