Shkup, 1 nëntor – Zgjedhjet lokale në Qytetin e Shkupit, ashtu si në çdo komunë tjetër, sollën befasi në rezultate. Në momente kur të gjithë prisnin për edhe një mandat të Petre Shilegov, ai u mposht nga Danella Arsovska si në rrethin e parë, ashtu edhe në të dytin, shkruan Zhurnal.
Ai në rrethin e parë humbi me rreth 7800 vota ndërsa në rrethin e dytë me 28 mijë vota.
Petre Shilegov nga LSDM në rrethin e dytë fitoi 90696 vota ndërsa Danella Arsovska 118,727 vota.
Petre Shilegov më tepër vota ka fituar kryesisht nga shqiptarët, gjegjësisht nga komunat me shumicë shqiptare sikurse Saraji dhe Çairi, ndërsa me dallim të vogël doli plus edhe në Qendër.
Sipas komunave, Shilegov në Aerodrom mori 10981 vota ndërsa Danella Arsovska 20981, që do të thotë se ka fituar me saktë 10,000 vota plus.
Në Butel Arsovska ka fituar 8377 vota ndërsa Shilegov 5800 që është një dallim prej 2577 votave.
Në Gazi Babë Petre Shilegov fitoi 7785 vota, edhe këtu gjysmën i ka fituar nga shqiptarët, ndërsa Danella Arsovska 18771 vota, që është një dallim prej 10,986 votave.
Në Gjorçe Petrov, Petre Shilegov ka fituar 6276 vota, ndërsa Danella Arsovska 11568. Në këtë komunë dallimi është 5292 vota.
Në Karposh gjithashtu ka fituar Danella Arsovska dhe atë me 2723 vota dallim. Kështu, Arsovska në Karposh ka arritur të mbledhë 15704 vota ndërsa Petre Shilegov 12981 vota, informon Zhurnal.
Në Kisella Vodë ka fituar bindshëm Danella Arsovska dhe atë me 9440 vota dallim. Arsovska në Kisella Vodë ka fituar 17549 vota ndërsa Petre Shilegov 8109.
Në Shuto Orizare gjithashtu Danella Arsovska ka befasuar me rezultat duke fituar 4000 vota ndërsa kundërkandidati Petre Shilegov 3641.
Siç e cekëm në fillim, Petre Shilegov më i mirë se Danella ka dalë vetëm në tre komuna.
Në Komunën e Sarajit Petre Shilegov ka arritur të mbledhë 7549 vota ndërsa Danella Arsovska 2462 vota, që është një epërsi prej 5087 votave.
Në komunën e Çairit gjithashtu Petre Shilegov ka korur rezultat tejet të mirë duke e mposhtur Danellën me 7759 vota dallim. Kështu, Petre Shilegov në Çair mblodhi gjithsej 16271 vota, ndërsa Danella Arsovska mblodhi 8512 vota.
Në Qendër, Petre Shilegov ka fituar me rezultat minimal me dallim prej vetëm 506 votave. Petre Shilegov mblodhi 11305 vota ndërsa Arsovska 10799 vota.
Këto rezultate e nxjerin fituese Danella Arsovskën me gjithsej 54,64% të votave ndërsa Petre Shilegov gjithsej mblodhi 41,74% të votave.//Zhurnal.mk