Shkup, 16 nëntor – Që nga fillimi kur u formua Qeveria “Zaev 2”, me vetëm 62 deputetë si shumicë parlamentare, diheshte se do të ketë vështirësi në funksionim, ndërsa deputetët e Lëvizjes Besa ishin faktor kyç për stabilitetin e kësaj shumice.
Zgjedhjet e fundit lokale i dhanë një goditje të fortë si LSDM-së, ashtu edhe shumicës parlamentare. LSDM ishte humbësja më e madhe në këto zgjedhje, ndërsa as partitë shqiptare opozitare nuk dolën mirë. Koalicioni ASH/AA fituan vetëm dy komuna, Lëvizja Besa gjithashtu dy dhe PDSH një komunë, mirëpo kryetari i Studeniçanit nga radhët e PDSH-së, pas fitores kaloi në radhët e ASH-së. Kështu, Lëvizja Besa u ndie disi si më e fuqishme dhe i’a ktheu shpinën LSDM-së. Ky veprim erdhi shumë shpejt dhe shumë pa pritur, ndoshta pse partneri i koalicionit ishte dobësuar shumë e VMRO-DPMNE nga ana tjetër ishte përforcuar shumë, e rasti duhet shfrytëzuar sa më herët, shkruan Zhurnal.
Mirëpo në moment të fundit deputeti i tyre Kastriot Rexhepi nuk mori guximin të paraqitet në seancë dhe të votojë për rrëzimin e Qeverisë dhe kështu, statusi në Kuvend ka ngelur as andej e as këndej. Shumicë nuk ka as pushteti e as opozita, numrat janë 60-60.
Duke patur parasysh se funksionarë të ndryshëm të pushtetit, madje edhe mbrëmë deputeti Kastriot Rexhepi paralajmëroi se shumica ka siguruar 61 deputetë, lë të dyshojmë nëse edhe ndonjë deputet nga opozita ka ndryshuar mendje si Rexhepi, dhe do t’i bashkangjitet Qeverisë.
Për këtë, Agjencia e lajmeve Zhurnal pyeti Arben Taravarin nëse partia është e mobilizuar rreth kësaj çështjeje dhe a kanë dyshime se dikush nga 8 deputetët e ASH-së mund t’i bashkangjitet shumicës parlamentare, ai u shpreh se deputetët e tyre janë të pastër dhe të palëkundur për një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe fëmijët tanë.
Taravari për Zhurnal thotë se deputetët e ASH-së as nuk shantazhohen e as nuk lëvizin qëndrimet sepse nuk kanë bagazh negativ.
“Në ASH asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë lëkundje të deputetëve se ato janë njerëz të pastër pa asnjë bagazh negativ mbas tyre, me të cilën do të mundeshin të shantazhohen apo kërcënohen. Deputetët e ASH-së e dijnë që ne kemi një mision të shenjtë, ardhmëria më e mirë e fëmijëve dhe nipërve tonë”, ka deklaruar për Zhurnal, sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari.
Zhurnal tentoi të marë përgjigje edhe nga VMRO-DPMNE, duke kontaktuar madje 3 përfaqësues të ndryshëm partiak, mirëpo nga asnjëri nuk mundeshim të marim një përgjigje.
Shumica parlamentare derisa ende nuk mund të quhet shumicë, nga dje thuhet se ka filluar tentimet për negociata me Alternativën. Kjo parti gëzon katër vende të deputetëve, dhe me ta, shumica parlamentare do të forcoheshte edhe më tepër, duke shkuar në 64 deputetë.
Flitet se vendet ministrore të cilat nuk i dëshiron më Lëvizja Besa, mund t’i mer Alternativa.
Ndryshime në Qeveri përndryshe sot paralajmëroi edhe zv.kryeministri Fatmir Bytyqi, i cili tha se Qeveria e re “Zaev 3” mund të pësojë ndryshime duke emëruar deri në 6 apo 7 ministra të rinjë.//Zhurnal.mk