Shkup, 1 nëntor – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili mbrëmë dha dorëheqje në vendin e kryeministrit, më 3 dhe 4 nëntor nuk do të shkojë në Beograd, siç ishte planifikuar fillimisht, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, shkruan sot gazeta beogradase “Politika”.
“Zotëri Zaevi nuk do të vijë në Beograd duke pasur parasysh situatën politike”, e transmeton “Politika” deklaratën nga Kabineti i Zaevit, duke shtuar se “Maqedonia e Veriut do të prezantohet në takimin në Beograd me një përfaqësues tjetër politik, që do të konfirmohet sot ose nesër”.
Fillimisht ishte planifikuar që kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama ta vizitojnë Serbinë më 3 dhe 4 nëntor, në takimin me rastin e nismës “Ballkani i Hapur”.
Pas rezultateve zgjedhore në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryeministri Zaev mbrëmë dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit, si dhe nga pozita e liderit të LSDM-së, që e kushtëzoi edhe ardhjen e tij në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Gllazgou, në Samitin për klimën, sot u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“Mbështetje e fuqishme për ‘Ballkanin e Hapur’. A ta mbajmë apo ta shtyjmë takimin në Beograd, duke i pasur parasysh ngjarjet në Shkup?”, shkroi Vuçiq në profilin zyrtar në Instagram të “Buduqnostsrbije”.