Shkup, 19 dhjetor 2021 (MIA) – Për ngrohjen e amvisërive duhet të shfrytëzohen të gjitha burimet e ripërtërishme në dispozicion, varësisht nga rajoni, nga vendi, me qëllim që të zvogëlohet ndotja e ajrit. Maqedonia e Veriut ndoshta do të mund të shfrytëzonte më shumë energjinë diellore, të orientohet drejt këtij burimi, por është e rëndësishme që të gjitha ato burime të energjisë të jenë komplementare, të plotësojnë njëra-tjetrën. Efikasiteti energjetik i vendbanimeve është veçanërisht i rëndësishëm.
Këtë në intervistë për MIA-n e deklaroi eksperti për sistemet efikase të ngrohjes në aspektin energjetik Zhilien Huber, nga organizata Energies Cities – Asociacioni Evropian i Qyteteve në tranzicion energjetik anëtar i së cilës nga viti 2007 është edhe Shkupi. Ai qëndroi për vizitë në Shkupin me ftesë të Institutit Francez në Shkup, ku mori pjesë në debatin me temë “Ngrohja klimatike në Ballkan: çfarë transformimi për qytetet?”, duke u fokusuar në dy tema – mjetet e transportit publik dhe ngrohja e amvisërive.https://energy-cities.eu/projects/
“Gjëja e parë që do të thosha për të reduktuar emetimin e grimcave të dëmshme është para së gjithash të punohet në efikasitetin energjetik të fasadave, në izolimin e mirë të vendbanimeve, të ndërtesave. “Mund të flasim për energjitë e ripërtërishme për ngrohje, mirlpo në ndërtesat e vjetra pa izolim të mirë humbet një pjesë e panevojshme e konsiderueshme e energjisë”, shprehet Zhuberi, i cili është menaxher projekti për planifikimin e sistemeve energjetike.
Kur flasim për burimet e ripërtërishme të energjisë dhe si do të kishte ardhur deri te ndotja më e vogël në raport me ngrohjen, respektivisht ngrohjen e shtëpive, sipas tij, do të duhet t’i kushtohet vëmendje rrjetit të mundësive të ngrohjes, të shfrytëzohen lloje të ndryshme të energjisë së ripërtërishme që do të mund të shfrytëzoheshin për ngrohje, siç është uji i nxehtë që do të qarkullonte në ndërtesën, që do të ngrohte përmes burime të ndryshme. Këto do të mund të jenë druri, energjia diellore, energjia gjeotermale. Gjithashtu, mund të shfrytëzohen disa procese industriale që prodhojnë nxehtësi dhe e cila mund të shfrytëzohet për ngrohje.
“Në Francë, për sa i përket ngrohjes urbane, ndotja është dy herë më e ulët kur përdoret gazi natyror, në raport me drurin, e akoma më e vogël është në krahasim me thëngjillin. Poenta është që të ketë ngrohje qendrore që shfrytëzon burime të ndryshme të energjisë. Kjo do të mundësonte çmim shumë më të qëndrueshëm, konstant, në mënyrë që të mos ketë shumë ndryshime në çmim, siç është rasti me gazin natyror, çmimi i të cilit ndryshon vazhdimisht. Në Francë shfrytëzojmë burime lokale të energjisë, për shembull si burim i ngrohjes shfrytëzohet djegia e bërllogut në insenator. Sot në Francë ka shumë përfitime nga shfrytëzimi i burimeve të tilla lokale të ripërtërishme të energjisë sepse përdoren burime lokale vendore të energjisë, kjo nënkupton gjithashtu më shumë punësime, çmimi është konkurrues, e kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse merret parasysh se çmimi i gazit është vazhdimisht në rritje dhe ndryshon në bursat, shprehet ai.
Për Shkupin cilat do të ishin ato burime lokale të ripërtërishme të energjisë që do të mund të shfrytëzoheshin, Zhuberi shprehet se nuk mund të tregojë saktësisht meqë nuk ka parë ndonjë studim që merret me këtë problem, e as që e di potencialin e qytetit dhe rajonit. Por, thekson ai, çdo qytet ka specifikat e veta. Në Bezanson prej nga vjen ai, ngrohja e shtëpive bëhet me dru, duke djegur mbeturinat në incenerator dhe një pjesë e vogël me gaz. Strasburgu dhe Parisi investojnë shumë më tepër në burimet gjeotermale.
“Porosia ime do të ishte që gjithsesi të përdoren të gjitha burimet e ripërtërishme në dispozicion, varësisht nga rajoni, nga vendi. Konsideroj se Maqedonia ndoshta do të mund të shfrytëzojë më shumë energji diellore, të orientohet drejt këtij burimi. Në Francë, shfrytëzimi i energjisë diellore nuk është shumë i zhvilluar. Më shumë bëhet fjalë për përdorimin e drurit, por të gjitha ato burime energjie duhet të jenë komplementare, të plotësohen. Merrni për shembull Danimarkën, e cila është ndoshta lider në Evropë në raport me shfrytëzimin e energjisë diellore për ngrohje. Kanë ndërtuar shumë termocentrale diellore dhe janë lider në shfrytëzimin e energjisë diellore”, shprehet eksperti francez.
Problemi me varfërinë energjetike
Në kushte të krizës energjetike, vjen në shprehje problemi me varfërinë energjetike. Shkupi është pjesë e pilot projektit Power up së bashku me edhe pesë qytete të tjera evropiane, që e koordinon “Energy City” për përballje me problemin e varfërisë energjetike, e që duhet të mundësojë së paku 2,5 milionë euro investime në energji të qëndrueshme. Projekti është në fillimin e tij, filloi këtë vjeshtë, financohet nga BE-ja.https://energy-cities.eu/project/power-up/
Zhuberi sqaron se bëhet fjalë për program evropian për bashkëpunim, hulumtim dhe ndihmë shkencore, për projekte të këtilla punojnë me disa qytete të tjera evropiane, si dhe me ekspertë evropianë si ata Universiteti i Mançesterit.
Ideja e projektit është përpilimi e studimit për shfrytëzimin e energjisë së ripërtërishme për qytetarët që gjenden në varfëri energjetike.
“Ideja e projektit është t’u ndihmohet atyre qytetarëve që kanë vështirësi në pagesën e faturave të ngrohjes ose që kanë problem me ngrohjen në përgjithësi. Qëllimi është që ata të bashkohen dhe të jenë aktorë në krijimin e asaj energjie për ngrohje dhe në këtë mënyrë do të jenë më të ndërgjegjshëm për vetë konsumin e ngrohjes. Në fakt, ideja është që të arrihet deri te një model biznesi në të cilin do të ishin përfshirë të gjithë – pushteti lokal, furnizuesit lokalë të energjisë dhe vetë konsumatorët”, shprehet Zhuberi.
Edhe pse projekti financohet nga BE-ja, ai në të ardhmen duhet të përsëritet në disa qytete.
“Në Evropë ka probleme me furnizuesit privatë të energjisë meqë kanë çmime mjaft të larta që nuk i konvenojnë një pjese të qytetarëve. Prandaj konsiderojmë se ka nevojë për aktor tjetër që do të kishte qasje tjetër, sociale. A do të ishin këto kooperativa qytetare që do të mund të prodhonin vetë energji apo do të ishin të ashtuquajtura kooperativa të qytetit, të cilat do të funksiononin si ndërmarrje sociale”, thekson Zhuberi.
Sipas disa vlerësimeve në këtë moment në Evropë 50 milionë njerëz përballen me varfëri energjetike. Në Maqedoninë e Veriut, ndihma për përballje me varfërinë energjetike të kategorive të rrezikuara është me subvencionim të faturës së energjisë elektrike. Subvencione për varfëri energjetike, sipas informacioneve të MPPS-së, shfrytëzojnë rreth 9822 pensionistë dhe 36213 qytetarë.
E sa i përket asaj se si zgjidhet ky problem në Francë, Zhuberi në bisedë tha për MIA-n se për momentin nuk ka në dispozicion shifra të sakta, por se për këto familje shfrytëzohet subvencionimi me çeqe për familjet.
“Qeveria e rriti vlerën nga 100 euro për familje. Problemi me krizën energjetike është i pranishëm edhe në Francë pasi Qeveria përpiqet të mbajë çmimin e energjisë elektrike në një nivel të caktuar edhe pse çmimi i tregut është në rritje. Por edhe kur tregu të stabilizohet, çmimi i rrymës do të jetë më i lartë, ndërsa konsumatorët janë ata që paguajnë. Ato në fakt janë masa afatshkurtra që nuk e zgjidhin problemin në afat më të gjatë. Në fakt, sot duhet kushtuar shumë më tepër vëmendje atij efikasiteti energjetik, respektivisht izolimit të vendbanimeve, të ndërtesave. Në Francë jemi pak vonë në këtë drejtim, por mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë për këtë problem”, thekson Zhuberi.
Për këtë, shprehet ai, ka standarde shtetërore që gjithashtu rezultojnë nga rregullat e BE-së, por ato kanë të bëjnë me ndërtesat e reja, por më i ndërlikuara është rinovimi i ndërtesave dhe shtëpive tashmë ekzistuese. Në Francë, ndahet ndihma shtetërore për ndërtesat, këto mund të jenë shtëpi ose ndërtesa në pronësi private. Te ndërtimet individuale procesi është më i ndërlikuar, meqë, shprehet ai, pronari nuk mund të udhëzohet në efikasitet energjetik, e këtu është momenti social, si dhe aspekte të tjera.
Prej para disa viteve, bën të ditur Zhuberi, ajo që qytetet në Francë filluan ta zhvillojnë është t’u ofrojnë qytetarëve ndihmë me këshilltarët që do t’u ndihmonin me këshilla për të gjitha procedurat dhe çështjet nëse dikush dëshiron të rinovojë shtëpinë. T’ua të gjitha gjërat rreth izolimit, rreth përzgjedhjes së dritareve.
“Në fakt, qytetet janë ata që kanë nisur këtë projekt, por në Francë parashikohet që për vitet 2022-2023 të miratohet plan në nivel shtetëror, që do të zbatonin qytetet, por me mbështetje kombëtare. Nga ana tjetër, mendoj se edhe në Shkup është hapur një qendër e tillë për të ndihmuar qytetarët në këtë drejtim. Sepse për rinovimin e një objekti individual, qytete të caktuara përveç këshillave nga këshilltarët gjatë planifikimit të rinovimit, japin edhe ndihmë financiare, subvencione.
Në vend, në drejtim të kursimit të energjisë elektrike dhe uljes së ndotjes së ajrit tashmë një kohë të caktuar nga Ministria e Ekonomisë bëhet edhe subvencionimi i qytetarëve për blerjen e paneleve diellore, inverterëve të kondicionerëve dhe zëvendësimin e sobave me dru me soba me peleta. Ai konsideron se këto janë masa të mira dhe zbatohen edhe në Francë.
“Masat për panelet fotovoltaike filluan në fund të viteve të 90-ta, 2000. Ky proces duhet të rrjedhë më shpejt të përshpejtohet si në Francë, ashtu edhe këtu. Kjo varet gjithashtu edhe nga legjislacioni. Në Evropë, legjislacioni fotovoltaik po bëhet më fleksibël, që u mundëson prodhuesve individualë të energjisë të shkëmbejnë energji mes njëri-tjetrit dhe madje ta shesin atë (tepricën). Për këtë folëm me partnerët tanë këtu dhe mësuam se ka disa kufizime në raport me fuqinë e lejuar në ndërtesa të caktuara. Kështu, për ndërtesat individuale kufizimi i fuqisë është 4 kilovat”, bën të ditur eksperti francez.
“Amvisëritë, këtu, nuk kanë të drejtë të shesin tepricën e energjisë elektrike të prodhuar nga panelet diellore dhe kjo është diçka që njëfarë mënyre frenon zhvillimin e atyre teknologjive. Është thjesht frenim i legjislacionit”, shprehet Zhuberi.
Në BE, çmimi i blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga panele të tilla ka qenë i garantuar për një kohë të gjatë. Duke marrë parasysh se çmimi i atyre paneleve është ulur, është ulur edhe çmimi i energjisë elektrike të prodhuar në këtë mënyrë. Zgjidhjet e reja ligjore kanë bërë të mundur që këto teprica të energjisë elektrike të prodhuara nga pronarë individualë të mund të shpërndahen në bashkësinë përreth tyre.
I pyetur se cila është forma e ngrohjes së amvisërive të së ardhmes – a janë pompat gjeotermale, energjia diellore apo era si burime të ripërtërishme të gjelbra, Zhuberi thekson se nuk ka zgjidhje të vetme.
“Nuk ka zgjidhje të vetme, por ka zgjidhje që varen nga vendi dhe nga qyteti konkretisht. Për shembull, pompat termale duhet të ushqehen me energjia elektrike të gjelbër, këtu
janë edhe të gjitha ato rrjete termale që gjithashtu mund të thithin nxehtësinë në mënyra më të ndryshme siç janë uji gjeotermal ose burime të tjera të energjisë. Sidoqoftë, duhet të dalim nga ajo skemë se ka një energji që është shpëtimtare. Nuk do të ketë një teknologji, në anën tjetër duhet të resetojmë veten, të konsumojmë më pak energji, gjegjësisht ta kursejmë atë”, porositi Zhillian Huber në bisedën për MIA-n.