9 muaj ka në qeli Ilir Meta, ku presidenti i Partisë së Lirisë është i pandehur nga SPAK për tre akuza. Këtë të dalë, në një konferencë të gjatë për mediat, sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi dhe avokati Kujtim Cakrani, përsëritën të njëjtat pretendime dhe akuza për persekutim politik të ish Presidentit.
“Metës i janë penguar qëllimisht takimet me deputetë, eurodeputetë, me familjarë si motra dhe fëmijët, si dhe me avokatët. Rrëmbimi i Metës dhe izolimi politik i tij ka ndodhur fund e krye për arsye se regjimi i tmerruar nga të vërtetat e Metës edhe kur thuhen nga kabinat telefonike të burgut 313 po i cenon lirinë e fjalës si masë represive që ndodhi veçanërisht pas dy lidhjeve telefonike me gazetarë. Ai dhe familja e tij janë në përgjim, nga punonjës anonim të BKH”, tha Blushi.
Po ashtu rrezik shumë të madh për demokracinë e quajti edhe avokat Cakrani trajtimin e Ilir Metës. ”E kanë harruar Presidentin në qeli, edhe enver hoxha ore me ligj i dënonte. Ndaj zotit Meta ka zero prova. Nuk ka shkelje. Ne nuk do t’i ndalemi kësaj beteje. Edhe sikur ata të mbyllin dosjen dhe të pushojnë akuzat”, u shpreh Cakrani.
