Shkup, 23 qershor – VLEN, si pjesë e pushtetit dhe subjekt politik serioz në Maqedoninë e Veriut, ka dalë me një kumtesë në të cilën riafirmon angazhimin e vendit për paqe dhe stabilitet global. Në deklaratën e bërë publike, VLEN thekson se është kategorikisht kundër përhapjes dhe përdorimit të armëve bërthamore, si dhe kundër çdo forme kërcënimi bërthamor, përcjell Zhurnal.mk.
“Si subjekt politik serioz pjesë e pushtetit, jemi kundër përhapjes dhe përdorimit të armëve bërthamore si dhe kundër kërcënimeve bërthamore,” thuhet në kumtesë.
VLEN gjithashtu nënvizon përkushtimin për të mbështetur veprimet e vendosura dhe diplomacinë aktive të partnerëve ndërkombëtarë që synojnë eliminimin e këtyre kërcënimeve dhe promovimin e sigurisë globale.
“Mbështesim fuqishëm veprimet e vendosura dhe diplomacinë e partnerëve tanë drejt këtij qëllimi të përbashkët – ndërtimin e një bote të sigurt pa kërcënime bërthamore,” vijon më tej deklarata.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur çështjet e sigurisë globale dhe ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore janë sërish në fokus të opinionit ndërkombëtar. Me këtë mesazh, VLEN përforcon pozicionin e Maqedonisë së Veriut si vend që angazhohet për paqe, siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar.