Pete DeJoy, bashkëthemeluesi i kompanisë teknologjike “Astronomer”, ka marrë detyrën si CEO i përkohshëm pas dorëheqjes së Andy Byron, i cili u largua në mes të një skandali që mori shumë vëmendje publike.
Dorëheqja e Byron erdhi pas një videoje virale nga koncerti i “Coldplay” në stadiumin Gillette, ku ai u kap nga “Kiss Cam” në një moment të afërt me Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore në “Astronomer”.
Ajo që e bëri situatën më problematike ishte fakti se të dy janë të martuar dhe kanë familje.

Pas publikimit të videos, reagimet në rrjetet sociale dhe në media ishin të shumta dhe tallëse.
Si pasojë e presionit dhe reagimeve publike, Byron dha dorëheqjen gjatë fundjavës, ndërsa vetë Kristin Cabot nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike deri tani.
Në postimin e tij të parë si CEO i përkohshëm, Pete DeJoy deklaroi në LinkedIn se kjo situatë ka sjellë një vëmendje të papritur për kompaninë, por gjithashtu edhe një mundësi.
“Nuk do ta kisha dëshiruar të ndodhte në këtë mënyrë, por është fakt që tani Astronomer është kthyer në një emër të njohur për shumë njerëz”, shkroi ai.

Ai theksoi se “Astronomer” është ndërtuar mbi përkushtimin dhe përballimin e sfidave të mëdha, nga fillimet në Cincinnati, te mbijetesa pas rrëzimit të bankës ku kishin të gjitha fondet, e deri te rritja nga 30 në 300 punonjës gjatë pandemisë.
“Kemi kaluar shumë, por jemi ende këtu, sepse jemi ndërtuar nga njerëz që duan të zgjidhin probleme të vështira dhe që punojnë me përkushtim të madh”.
DeJoy, i diplomuar në Bowdoin College, ka qenë pjesë e kompanisë që nga fillimi në vitin 2017. Ai u promovua në vitin 2023 si zv. president dhe më pas, në fillim të këtij viti, si shef i produktit.
Tani ai thotë se do të përqendrohet tek kujdesi për ekipin dhe te përmbushja e pritshmërive të klientëve.
“Astronomer ka ende një themel të fortë, të ndërtuar rreth komunitetit të zhvilluesve të Apache Airflow”, shtoi tutje. “Mundësia për të ndërtuar një platformë DataOps për epokën e inteligjencës artificiale është ende gjigante. Historia jonë është ende në fillim”.
Sipas “New York Post”, Astronomer ka mbledhur më shumë se 350 milionë dollarë nga investitorë të jashtëm që nga themelimi, përfshirë rreth 100 milionë vetëm disa muaj më parë.