Shkup, 5 korrik Zhurnal.mk – Rreth 20 kanale komunikimi, përfshirë portale informative, si dhe faqe e profile në Facebook dhe Instagram, janë objekt i një hetimi që po zhvillohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, raportoi “Skopje1”, duke iu referuar burimeve të saj.
Sipas këtyre burimeve, hetimi lidhet me dyshimet se këto kanale janë përdorur për përhapje të organizuar të gjuhës së urrejtjes dhe nxitje të tensioneve përmes përmbajtjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Burimet bëjnë të ditur se organet hetimore tashmë kanë siguruar një pjesë të materialeve provuese, ndërsa aktivitetet hetimore vazhdojnë.
Në fokus të hetimit janë përmbajtje të publikuara në periudhën e fundit, duke përfshirë fletushka, mesazhe dhe postime që lidhen me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si dhe materiale që, sipas dyshimeve, kanë synuar të nxisin urrejtje, fyerje reciproke dhe radikalizim të debatit publik mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Sipas burimeve të “Skopje1”, po hetohet edhe mënyra e financimit të një pjese të këtyre aktiviteteve, si dhe lidhjet e mundshme me organizata dhe shoqata. Për shkak të procedurës në zhvillim, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar për rastin. Sipas burimeve, më shumë informacione priten pas përfundimit të një pjese të veprimeve hetimore dhe procedimit eventual të rastit.

