Tiranë, 06 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti në një takim në Kuvend, deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Gjatë takimit, Balla dhe Hoxhaj kanë diskutuar mbi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë, të bazuar në prova dhe në respektim të standardeve ndërkombëtare.
Në fokus të bisedës ishin gjithashtu procesi i integrimit europian të Shqipërisë, perspektiva e Kosovës për avancim drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimet në fushën e sigurisë në rajon.
Balla dhe Hoxhaj ndanë shqetësimin për rreziqet që vijnë nga ndërhyrjet e huaja malinje dhe theksuan nevojën për forcim të bashkëpunimit rajonal në kuadër të NATO-s dhe partneriteteve.

