Shkup, 8 korrik Zhurnal.mk – Sot, në pikën kufitare Qafë Thanë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.
Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur.
VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë.
Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime.

