Shkup, 27 gusht, argument.mk/ – Të gjitha partitë shqiptare duhet të bashkohen dhe të përkrahin një kandidat të vetëm për të rikthyer komunën e Bërvenicës. Kjo komunë ishte temë diskutimi në zgjedhjet e fundit, dhe një përçarje e vogël midis shqiptarëve bëri që komunën ta fitoj kandidati i VMRO DPMNE-së. Ky moment duhet të jetë një leksion i mirë për partitë shqiptare, se vetëm të bashkuar mund të fitojnë, ngjashëm siç ndodhi në Çashkë dhe të përçarë dështuan kur e humbën Kërçovën e Brvenicën, shkruan “argument.mk/”.
Shqiptarët me 3 kandidatë, maqedonasit ende mendohen për 1 ose 2 kandidatë!
Vota e shqiptarëve nuk duhet të ndahet dhe se një kandidat shqiptar duhet të udhëheqë Brvenicën. Qëllimi duhet të jetë bashkimi i subjekteve shqiptare në mënyrë që të shmanget konkurrenca që do t’iu pëlqente kundërshtarëve.
Aktualisht, tek partitë shqiptare si kandidatë të mundshëm për kryetar të Bërvenicës përfliten tre emra, Arkin Jahiji nga BDI, Naser Zenuni nga Aleanca dhe Hakim Ramadani nga VLEN.
Deri më tani, vetëm BDI ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e Arkin Jahijit, ndërsa VMRO-DPMNE dhe LSDM ende po analizojnë se me kë do të garojnë për postin e kryetarit të bashkisë në Brvenicë.
Pas vdekjes së papritur të kryetarit Jovica Ilievski, i cili vinte nga VMRO DPMNE, zgjedhjet e ardhshme të parakohshme për kryetar të Bërvenicës janë planifikuar të mbahen me 18 tetor.
BDI e VLEN duan t’i matin forcat!
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale të parakohshme lokale në komunën e Bërvenicës do të mbahen me 18 tetor. Raund i dytë i zgjedhjeve të parakohshme në Brvenicë do të mbahet nëse asnjëri prej kandidatëve nuk fiton shumicën e votave (më shumë se 50% të votave të qytetarëve që dolën për të votuar) në raundin e parë. Në këtë rast, sipas KSHZ-së raundi i dytë zgjedhor që do të mbahet me 1 nëntor 2026.
Këto zgjedhje do të jenë shumë të vështira për partitë shqiptare, sepse kështu siç janë përçarë do ta kenë të vështirë të dalin triumfues.
Siç duket BDI dhe VLEN dëshirojnë t’i matin forcat dhe në njëfarë mënyre të tregojnë se kush e ka epërsinë, të cilën do ta shfrytëzojnë edhe për marketing politik për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Është shumë e drejtë që secila parti të nxjerrë kandidatin e saj, por mbi të gjitha më e rëndësishmja është interesi kombëtar dhe komuna e Bërvenicës të rikthehet nën menaxhimin e partive shqiptare siç ka qenë deri në zgjedhjen e kryetarit të fundit.
Rreziku që VMRO DPMNE të fitojë në rrethin e parë!
Rreziku qëndron në faktin se nëse partitë maqedonase bashkohen dhe votojnë vetëm për një kandidat, atëherë mundet që fituesi në Bërvenicë, të dihet që në raundin e parë. Nëse partitë maqedonase VMRO DPMNE dhe LSDM dalin me kandidatë të ndarë, atëherë mund të ketë rreth të dytë të zgjedhjeve, dhe kjo mund t’iu japë një shans të dytë edhe partive shqiptare.
Në këtë rast, nëse në rrethin e dytë ngelin dy kandidatë, atëherë është e ndershme për partitë shqiptare që të votojnë për kandidatin shqiptar.
Por, një gjë është e sigurtë, se partia në pushtet VMRO DPMNE, do të bëjë çmos që mos të lejojë ta humbë këtë komunë, sepse ishte një prej mburrjeve të tyre në zgjedhjet e fundit.
Ka shumë gjasa, që VMRO DPMNE të ketë krijuar edhe një bazë të votuesve shqiptarë që do ta votonin kandidatin e tyre në zgjedhjet e fundit, dhe kjo pikërisht përmes joshjes dhe interesave të ngushta personale të individëve të caktuar.
Në Bërvenicë do të garohet në baza etnike!
Bërvenica në zgjedhjet e fundit ishte një shembull se si pushteti e shfrytëzon presionin ndaj votuesve, pasi atë botë kryeministri Mickoski u kërcënua ndaj kandidatit shqiptar duke thënë se s’ka të drejtë ta shfrytëzojë kartën etnike për zgjedhje lokale. Por, këtu nuk kishte të drejtë, sepse vetë VMRO DPMNE e shfrytëzoi kartën etnike për të fituar Kërçovën dhe zgjedhjet e fundit parlamentare.
Andaj, gara për kryetar komunë, kësaj radhe pritet të zhvillohet në baza etnike, dhe kjo do të jetë shumë e drejtë për secilën palë, sepse vetë pushteti e vendosi si primare kartën etnike përballë kartës së vlerave e projekteve.
Fatkeqësisht, edhe pse shumë e vështirë, në rrethanat e tanishme, fitorja në Bërvenicë nuk është e pamundur. Shqiptarët vetëm duhet të jenë të bashkuar, të organizohen dhe të vijnë edhe nga diaspora, si dhe të dalin që të gjithë në zgjedhje. Fitorja nuk është e pashmangshme, leksioni duhet marrë nga zgjedhjet e fundit, dhe duhet dëgjohet populli, dhe jo pazaret dhe interesi partiak. Kush është më i mirë le të fitojë, e këtë më së miri e dinë qytetarët e kësaj komune, shkruan “argument.mk/”.

