Shkup, 1 shtator, argument.mk/ – Të dhënat e fundit të Agjencisë së Punësimit tregojnë një realitet shqetësues ku mbi 88 mijë persona të regjistruar si punëkërkues aktivë, ku shqiptarët përbëjnë shumicën mbi 35 mijë, ose 40,3%. Ky fakt pasqyron krizen sociale që prek drejtpërdrejt komunitetin më të madh etnik pas maqedonasve, shqiptarët. Papunësia po ngjanë që ka ngjyrim etnik dhe kjo reflekton pabarazitë e akumuluara në sistemin arsimor, ekonomik dhe institucional, shkruan Zhurnal.
Arsimi i ulët si pengesa kryesore
Sipas një analize ekonomike nga Portalb të bazuara në të dhëna të Agjencisë së Punësimit në RMV, 83% e të papunëve janë pa arsim, me arsim fillor ose të mesëm. Kjo tregon se tregu i punës nuk është i përgatitur të absorbojë një fuqi punëtore me nivel të ulët kualifikimi. Shqiptarët, të cilët historikisht kanë pasur qasje më të kufizuar në arsim cilësor, gjenden disproporcionalisht në këtë kategori. Kjo krijon një rreth vicioz mungesa e arsimit cilësor prodhon papunësi, papunësia gjeneron varfëri, ndërsa varfëria e bën edhe më të vështirë investimin në arsim.
Nga njëra anë, mbi 10 mijë vende të lira pune janë të regjistruara, ndërsa sektori privat paralajmëron mungesë të fuqisë punëtore. Nga ana tjetër, mijëra persona mbeten të papunë. Ky paradoks shpjegohet me mospërputhjen mes kërkesës së punëdhënësve dhe ofertës së punëkërkuesve. Punëdhënësit kërkojnë profile të kualifikuara në industri përpunuese, ndërtimtari, tregti dhe gastronomi, ndërsa shumica e punëkërkuesve nuk i plotësojnë këto kritere. Rezultati është importi i fuqisë punëtore të huaj mbi 10 mijë leje pune për shtetas të huaj vetëm vitin e kaluar ndërkohë që shqiptarët mbeten të papunë në vendin e tyre.
Dominimi i shqiptarëve në listën e papunësisë ka pasoja të drejtpërdrejta politike. Sepse kështu forcohet ndjenja e diskriminimit strukturor dhe rriten tensionet etnike. Nëse një komunitet i tërë percepton se është i përjashtuar nga mundësitë ekonomike, kjo kthehet në burim pakënaqësie sociale dhe destabiliteti politik e social. Për më tepër, emigrimi i të rinjve shqiptarë drejt vendeve të BE-së është një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së perspektivës në tregun e brendshëm.
Çfarë duhet bërë?
Investim në arsim profesional është i patjetërsueshëm si programe të fuqishme për formim profesional, pa këtë qasje hendeku mes kërkesës dhe ofertës do të thellohet.
Nevojiten edhe subvencione për punësimin e të rinjve shqiptarë dhe integrim më i madh në sektorët ku ka mungesë fuqie punëtore. Transparenca institucionale është jetike ku monitorimi vazhdueshëm i përfaqësimit etnik në tregun e punës për të shmangur diskriminimin. E në fund duhet edhe strategji kundër emigrimit përmes krijimit të kushteve që të rinjtë të shohin perspektivë brenda vendit, jo vetëm jashtë tij.
Sqarojmë se, shifrat e papunësisë janë tregues të një krize sociale që prek më së shumti shqiptarët. Nëse ky realitet nuk adresohet me politika të guximshme, rreziku është që papunësia të kthehet në faktor destabilizues, duke e thelluar ndarjen etnike dhe duke e zbrazur vendin nga kapitali i tij më i çmuar rinia, fenomen që po shihet dhe vërehet në numrin e nxënësve në shkolla. argument.mk/

