Tiranë, 1 shtator, argument.mk/ – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, bëri sot publike të dhënat për rastet e zjarrvënieve të evidentuara gjatë periudhës 1 qershor deri më 20 gusht.
Lamallari deklaron se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 132 raste, ndërsa Policia e Shtetit ka identifikuar 109 autorë të dyshuar, prej tyre, 25 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa rastet janë dokumentuar edhe përmes pamjeve filmike.
Ministri thekson se arrestimi i autorëve nuk është i mjaftueshëm dhe kërkoi angazhim të plotë të të gjithë sistemit të drejtësisë, nga prokuroria deri te gjykata, në mënyrë që personat përgjegjës të përballen me pasojat ligjore.
“Gjatë periudhës 1 qershor 20 gusht janë evidentuar 132 raste nga të cilat policia ka evidentuar 109 autorë të dyshuar prej të cilëve 25 të arrestuar në flagrancë pra e dokumentuar me video. Disa prej tyre i kam transmetuar dhe unë në rrjetet sociale në mbështetje të apelit që unë bëja pikërisht për nevojën që kjo nuk mbetet vetëm tek policia, patjetër sistemi i drejtësisë në tërësi duke ftuar me organin e prokurorisë deri tek gjykata të bënin të mundur dënimin e këtyre aktorëve. Pra nuk mjafton vetëm arresti dhe më pas lirimi i tyre”, tha ai gjatë një interviste për mediet.
Sipas tij, është e nevojshme ngritja e një njësie të dedikuar për hetimin e krimeve mjedisore, ku përfshihen edhe zjarrvëniet, prerjet e paligjshme të pyjeve dhe dëmtimet e lumenjve e të natyrës.
“Është momenti që ne të ngremë një njësi të dedikuar për hetimin e krimeve mjedisore dhe te krimet mjedisore përfshihet pikërisht dhe zjarrvënien të gjitha krimet që trajtohen me të njëjtën shkallë përgjegjshmërie, vëmendje dhe prioritizimi nga edhe nga Bashkimi Evopian ku bëhet fjalë për mbrojtjen e pyjeve si nga zjarrvëniet si nga prerjet e paligjshme të pyjeve ku bëhet fjalë për mbrojtjen e lumenjve, natyrës të tjerë. Policia e shtetit duhet të garantojë pikërisht pasjen e të gjitha kapaciteteve të nevojshme, përfshij dhe ato forenzike, pra kriminalistike.
“Prokuroria duhet të ezaurojë nga ana tjetër të gjithë mekanizmat që jep mundësitë që jep ligji procedural penal duke vënë në shërbim të saj pikërisht policinë gjyqësore, qofshin oficerë të policisë së ë pra policisë së shtetit apo të prokurorisë me udhëzimet përkatëse që të ezaurojmë të gjithë mekanizmat nga përgjimi parandalues, përgjimi ambiental, çdo gjë që është e nevojshme që jep ligji si mundësi prokurorit si mekanizëm efektiv për zbardhjen e një ngjarje”, tha Lamallari.
Gjithashtu, Lamallari foli edhe përprojektin “Smart City” në shkolla duke thënë se synon rritjen e sigurisë për nxënësit dhe stafin, përmes kamerave inteligjente dhe teknologjive të reja.
Ai theksoi se sistemi funksionon me akses të kufizuar dhe në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas Lamallarit, projekti pritet të zgjerohet në të gjithë vendin dhe do të përfshijë edhe kamera trupi për policinë, radarë dhe sensorë inteligjentë.

