Shkup, 1 shtator argument.mk/ – Tetë organizata të shoqërisë civile kërkojnë nga Qeveria që urgjentisht të rishqyrtojë përgjegjësinë dhe të shkarkojë drejtorin e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, Dalibor Kitanoviq.
Kërkesa vjen pas një publikimi të shpërndarë nga Kitanoviq në rrjetet sociale, ku, me mesazhet “Për kryqin e shenjtë dhe lirinë e artë” dhe “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”, janë paraqitur persona të lidhur me lëvizjen çetnike, ndër ta edhe Draža Mihajloviq dhe Ratko Mlladiq, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Nga organizatat thonë se publikimi nuk mund të konsiderohet vetëm si qëndrim privat, pasi bëhet fjalë për drejtorin e një institucioni publik, kompetenca e të cilit është realizimi, avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve më të vogla.
“Praktikisht nga drejtori i Agjencisë pritet të kontribuojë në besimin ndëretnik, barazinë dhe bashkëjetesën. Lavdërimi i personave dhe ideologjive të lidhura me përndjekjen, asimilimin, krimet e luftës dhe gjenocidin është i papajtueshëm me mandatin dhe përgjegjësinë e këtij funksioni”, thuhet në kërkesë.
Organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë gjithashtu për shqetësimin e mundshëm te punonjësit e Agjencisë që u përkasin komuniteteve të cilat mbulohen nga puna e saj. Ato pyesin nëse punonjësit mund të ndihen të sigurt dhe të respektuar në një mjedis pune të udhëhequr nga një drejtor që publikisht shpërndan përmbajtje të tilla.
Nga Qeveria kërkohet të hetojë përgjegjësinë politike, etike dhe institucionale të Kitanoviqit, të marrë vendim për shkarkimin e tij, të ndërmarrë masa për mbrojtjen e punonjësve dhe publikisht të distancohet nga glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe ideologjive që nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare.
Kërkesa i është dorëzuar edhe Prokurorisë Publike, nga e cila kërkohet që sipas detyrës zyrtare të shqyrtojë përmbajtjen dhe kontekstin e publikimit dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë elemente të veprës penale në përputhje me nenin 407-a të Kodit Penal.
Organizatat theksojnë se vlerësimi për përgjegjësinë eventuale penale është ekskluzivisht në kompetencë të organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës.
Nisma i është dorëzuar edhe Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe koordinatorit kombëtar për bashkëpunim ndëretnik dhe ndërresorial, Salko Kuxh.
“Ky nuk është një çështje e politikës ditore, përkatësisë etnike apo bindjeve private. Kjo është çështje e vlerave civilizuese, sundimit të ligjit, respektimit të viktimave dhe përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike”, theksojnë nënshkruesit.
Kërkesën e kanë nënshkruar OJQ-ja “Shadërvan”, OJQ-ja “Divan”, Instituti për Hulumtim dhe Analizë të Politikave “Romalitiko”, OJQ-ja “Divanhana”, OJQ-ja “Legis”, OJQ-ja “Smart Kod”, Këshilli Kombëtar Boshnjak dhe Bashkësia Kulturore Boshnjake.

