Shkup, 2 shtator, argument.mk/ – Kryetari i Këshillit Komunal të Likovës, Zekirja Shaini, së bashku me këshilltarët komunalë Lirim Jashari dhe Muhamet Memedi, kryetarë të bashkësive lokale dhe përfaqësues të bizneseve, kanë zhvilluar një takim me drejtorin e EVN-së në Kumanovë lidhur me problemin e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike në Sllupçan, Orizare dhe vendbanime të tjera të Komunës së Likovës.
Nga EVN-ja është bërë e ditur se një nga shkaqet kryesore të këtyre ndërprerjeve është vjetërsia e siguresave në largpërçuesin që furnizon këto vendbanime me energji elektrike.
Sipas premtimeve të dhëna, nga 7 shtatori, ekipet e EVN-së do të dalin në terren për të evidentuar dhe eliminuar problemet ekzistuese.
Ndërkohë, nga janari i vitit 2027, janë paralajmëruar investime në rrjetin elektrik dhe përmirësimi i të gjithë largpërçuesit.
Premtimet e dhëna nga EVN-ja pritet të dërgohen edhe zyrtarisht me shkrim.
Banorët e Komunës së Likovës presin që këtë herë premtimet të mos mbeten vetëm fjalë, por të shndërrohen në zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për problemin e energjisë elektrike.

