Prishtinë, 01 tetor, argument.mk/ – Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi.
Haxhiu ka thënë se tetë subjekte politike shqiptare nga Lugina e Preshevës janë bashkuar pavarësisht dallimeve politike dhe historisë së tyre.
“Ky është një vendim i pjekur politik, që e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi çdo llogari partiake. I përgëzoj kryetarët e tyre që e bënë të mundur këtë marrëveshje”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se bashkimi vjen në një situatë që, sipas saj, karakterizohet nga diskriminimi dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
“Këtu përfshihen pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave dhe nënpërfaqësimi në institucionet publike. Po ashtu, kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve, si dhe përjashtimi ekonomik”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu ka bërë edhe një krahasim me të drejtat dhe përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se shqiptarët në Serbi nuk kanë ulëse të garantuara në parlament.
“Shqiptarët në Serbi, ndërkaq, nuk kanë ulëse të garantuara në parlament dhe përfaqësimi i tyre varet vetëm nga vota. Pasivizimi i adresave ua vështirëson edhe ushtrimin e së drejtës së votës”, ka shkruar ajo.
Sipas Haxhiut, bashkimi i subjekteve shqiptare në një listë të përbashkët mund të ndikojë në forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Luginës.
“Në këto rrethana, bashkimi është i domosdoshëm. Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë”, ka thënë ajo.
Në fund, Haxhiu ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të kërkojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
“Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë ta ngremë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Do ta shtojmë edhe mbështetjen institucionale për ta”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo u ka uruar sukses kandidatëve të listës së përbashkët në zgjedhjet e 25 tetorit.

