Këngëtarja Vesa Smolica ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes së videove intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet, duke i kushtuar një shkrim Klaudia Hilës, bashkëshortes së kompozitorit Adrian Hila.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Smolica ka rrëfyer një kujtim personal nga adoleshenca, duke treguar se në moshën 14-vjeçare kishte qëndruar për rreth katër muaj në shtëpinë e familjes Hila, në kohën kur ishte pjesë e spektaklit “Këngët e Shekullit”.
Duke iu referuar situatës së krijuar së fundmi, këngëtarja ka thënë se nuk mund të qëndronte pa folur për Klaudia Hilën, të cilën e ka njohur nga afër gjatë asaj periudhe.
“Prandaj sot, kur po shoh gjithë këtë që po ndodh, nuk mund të mos flas për gruan që unë kam njohur vetë. Klaudia, unë nuk i kam harruar të mirat që më ke bërë”, ka shkruar Smolica.
Ajo ka shprehur gjithashtu mbështetje për vajzat e familjes Hila, duke theksuar se ato nuk duhet të mbajnë mbi vete peshën apo gjykimin për veprimet e një personi tjetër.
Reagimi i Vesës vjen në një kohë kur publikimi dhe shpërndarja e materialeve intime ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për rrethanat e regjistrimit dhe shpërndarjes së tyre.

