Shkup, 11 nëntor, argument.mk/ – Muajt e fundit në mënyrë intensive janë shpërndarë interpretime dhe keqinformime se brenda VLEN-it ekzistojnë mospajtime të thella, përçarje të pashmangshme dhe tensione që mund të çojnë deri në fragmentimin e subjektit politik. Megjithatë, një fotografi dhe një takim i vetëm i mbajtur mes drejtuesve të koalicionit mjaftuan për t’i zbehur ndjeshëm këto pretendime. Të ulur rreth të njëjtës tryezë ku lindi ideja e bashkimit politik shqiptar, krerët e VLEN-it dhanë mesazhin se pavarësisht dallimeve që mund të ekzistojnë në çdo organizim politik projekti i përbashkët mbetet i paprekur, shkruan Zhurnal.
Natyrisht, çështjet e brendshme të një subjekti politik u përkasin vetë protagonistëve të tij. Megjithatë, ajo që ka rëndësi për opinionin publik shqiptar është fakti se sa më i bashkuar të jetë faktori politik shqiptar, aq më e fuqishme bëhet pesha në vendimmarrje. Për këtë arsye takimi i fundit i VLEN-it nuk pati vetëm karakter organizativ, por edhe simbolik duke dërguar një mesazh se prioritet mbetet forcimi i përfaqësimit politik shqiptar dhe realizimi i zotimeve të dhëna para qytetarëve.
Një mbledhje rrënoi shumë propaganda
Mbledhja e fundit e Kryesisë Qendrore të VLEN-it rrëzoi një pjesë të madhe të narrativave që muajve të fundit qarkullonin në opinion. Në vend të skenarëve për ndarje dhe konflikte, drejtuesit e koalicionit dolën me qëndrime të përbashkëta për çështjet kyçe politike. Diskutimet u fokusuan në prioritetet programore dhe në realizimin e reformave që lidhen drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të shtetit në përgjithësi.
Një prej vendimeve më të rëndësishme që u theksua në këtë takim ishte miratimi në Qeveri i propozimit për provimin e jurisprudencës, me të cilin për herë të parë parashihet mundësia që ky provim të jepet edhe në gjuhën shqipe. Ky hap u vlerësua si një arritje me rëndësi të veçantë për studentët shqiptarë dhe si dëshmi se kërkesat e tyre po trajtohen institucionalisht. Njëkohësisht, VLEN riafirmoi përkushtimin për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie, por një fitore historike e shqiptarëve për barazi dhe dinjitet.
Po ashtu, në qendër të vëmendjes mbetën politikat që lidhen me sigurinë e vendeve të punës, transformimin e kontratave të përkohshme në marrëdhënie të rregullta pune, decentralizimin dhe zhvillimin e komunave me shumicë shqiptare. Mesazhi që doli nga mbledhja ishte se partneriteti qeveritar mbetet stabil, ndërsa prioritetet programore nuk do të lihen në hije nga debatet politike ditore. Pikërisht ky unitet në qëndrime bëri që shumë prej propagandave për krizë të brendshme të humbin besueshmërinë e tyre.
Shqiptarët vetëm të bashkuar mund të jenë të faktorizuar
Debati i muajve të fundit u ndërtua kryesisht mbi tezën se VLEN po përballet me pakënaqësi, tensione dhe rrezik përçarjeje. Por takimi i fundit tregoi të kundërtën. Në vend të një organizate të fragmentuar, opinioni pa një strukturë që vazhdon të funksionojë si një ekip i përbashkët politik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur shqiptarët në rajon përballen me sfida të shumta politike dhe institucionale.
Historia e pluralizmit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka treguar se shpërndarja e votës në shumë subjekte të vogla shpesh sjell dobësim të përfaqësimit. Kur vota shqiptare fragmentohet, zvogëlohet edhe fuqia negociuese në institucionet qendrore. Numri i deputetëve mund të mbetet i njëjtë ose madje të bjerë, ndërsa zëri politik humb peshën që nevojitet për të mbrojtur interesat kolektive të shqiptarëve. Për pasojë, krijohen më shumë ndarje sesa rezultate konkrete.
Prandaj, për shumë analistë politikë modeli më funksional për kampin politik shqiptar mbetet ekzistenca e dy blloqeve të mëdha dhe kompakte një në pushtet dhe një në opozitë. Një konfigurim i tillë jo vetëm që ruan garën demokratike, por edhe shmang copëtimin e panevojshëm të elektoratit shqiptar. Në këtë mënyrë, qytetarët zgjedhin mes alternativave të qarta politike, ndërsa përfaqësimi shqiptar mbetet më i fortë më i organizuar dhe më faktor në proceset vendimmarrëse.
Sqarojmë se, takimi i fundit i VLEN-it nuk ishte thjesht një mbledhje e zakonshme partiake. Por shërbeu si përgjigje konkrete ndaj spekulimeve për përçarje dhe si rikujtim se fuqia politike e shqiptarëve buron nga bashkimi dhe koordinimi. Në një periudhë kur sfidat kërkojnë përfaqësim të fortë dhe të organizuar, ruajtja e kohezionit politik mbetet një nga kushtet kryesore që shqiptarët të jenë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe faktorë realë në vendimmarrjen e shtetit. argument.mk/

