Shkup, 11 nëntor, argument.mk/ – Në seancën e sotme mbikëqyrëse për “ALTA Banka”, deputeti i Levicës, Borisllav Krmov, hapi një pyetje të re lidhur me përfshirjen e mundshme të Qeverisë në orientimin e mjeteve publike drejt bankës.
Krmov kërkoi nga Mickoski të përgjigjet ndaj informacioneve se Qeveria u ka rekomanduar komunave, institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike që të depozitojnë mjete në “ALTA Banka”.
Sa para publike janë të ekspozuara ndaj rrezikut, cilat institucione disponojnë mjete në këtë bankë dhe kush do ta marrë përgjegjësinë nëse vjen deri te falimentimi i saj, pyeti Krmov.
Njëkohësisht, Krmov e akuzoi Mickoskin se i është shmangur pyetjes, përkatësisht se në vend të përgjigjeve për konsultimet me guvernatorin para hyrjes së “ALTA Bankës”, ai ka ofruar një fjalim politik dhe e ka zëvendësuar thelbin e pyetjes me pretendimin se ka qenë vetëm “i informuar”.

