Shkup, 11 nëntor,, argument.mk/ – Në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, realizoi takim bilateral me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qendrës Kombëtare për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Greqisë (EKDDA), ku u konfirmua përcaktimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës në fushën e administratës publike.
Në takim morën pjesë zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Republikës së Greqisë, Paraskevi Harlambojani, presidenti i EKDDA-së, Vasilis Egzarhos, udhëheqësja e Akademisë për Zhvillim Profesional të Nëpunësve Administrativë, Angela Burbuli, drejtori i Shkollës Kombëtare për Administratë Publike, Anastasios Hondrojani, si dhe drejtoresha e përgjithshme e “Reform Greece”, Adamantia Manta.
Pas takimit bilateral u nënshkrua edhe Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike dhe Qendrës Kombëtare për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Greqisë, me të cilin vendoset një kornizë institucionale për partneritet afatgjatë në fushën e trajnimit profesional, hulumtimit dhe inovacioneve në administratën publike.
Partneriteti me EKDDA-në ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e Akademisë për Aftësim dhe Trajnim Profesional të Nëpunësve Administrativë, qëllimi i së cilës është vendosja e një sistemi bashkëkohor dhe të qëndrueshëm për avancim të vazhdueshëm profesional. Përmes përvojave dhe ekspertizës së Akademisë greke dhe Shkollës Kombëtare për Administratë Publike, hapen mundësi të reja për avancimin e programeve mësimore, zhvillimin e modeleve moderne të trajnimit në përputhje me standardet evropiane dhe forcimin e kompetencave profesionale të nëpunësve administrativë.
“Me thellimin e partneriteteve rajonale dhe evropiane krijojmë vlerë konkrete për institucionet dhe për qytetarët e vendit tonë. Qëllimi ynë është një administratë publike profesionale, kompetente dhe efikase, ndërsa për këtë nevojiten njohuri, trajnim i vazhdueshëm dhe institucione të fuqishme. Përvoja greke është e rëndësishme në zhvillimin e Akademisë sonë dhe në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor për zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë”, theksoi ministri Minçev.
Ky partneritet paraqet edhe një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, të bazuar në besim të ndërsjellë, lidhje institucionale dhe shkëmbim të praktikave të mira. Përmes iniciativave të tilla, Ministria e Administratës Publike konfirmon përkushtimin për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve administrative dhe avancimin e institucioneve publike në interes të qytetarëve.

