Rritja e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe barnave të tjera, rrezikon ta kthejë kirurgjinë rutinë dhe lindjen e fëmijëve në procese kërcënuese për jetën, duke vënë në rrezik edhe të ardhmen e mjekësisë moderne, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Rezistenca ndaj antibiotikëve, por në një kuptim më të gjerë rezistenca antimikrobike (AMR), është përhapur gjerësisht dhe po kërcënon të ardhmen e mjekësisë moderne”, deklaroi specialisti i OBSH-së, Jean Pierre Nyemazi.
Pacientët me kancer dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, përballen gjithashtu me rreziqe më të mëdha nga infeksionet e shkaktuara prej baktereve, viruseve ose kërpudhave, të cilat nuk reagojnë më ndaj trajtimeve të disponueshme.
OBSH-ja u bën thirrje vendeve të shtojnë përpjekjet për të luftuar rezistencën antimikrobike, gjatë Javës së Ndërgjegjësimit, që zhvillohet nga 18 deri më 24 nëntor.
Rezistenca mund të shkaktojë 39 milionë vdekje
“Më shumë se 1 milion njerëz vlerësohet se kanë humbur jetën në vitin 2021, si pasojë e drejtpërdrejtë e rezistencës antimikrobike”, tha Nyemazi.
“Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, sipas modeleve parashikuese, kjo rezistencë mund të shkaktojë 39 milionë vdekje në mbarë botën gjatë 25 viteve të ardhshme”, shtoi ai.
Numri i baktereve rezistente ndaj barnave që përdoren gjerësisht po rritet, ndërsa zhvillimi i antibiotikëve të rinj mbetet i pamjaftueshëm.
“Parandalimi i infeksioneve është një nga mënyrat më efektive për të ulur nevojën për përdorimin e antibiotikëve”, deklaroi specialistja e OBSH-së, Pravarsha Prakash.
Megjithatë, vetëm pak më shumë se një e treta e vendeve kanë zbatuar plotësisht, në nivel kombëtar udhëzimet e OBSH-së për parandalimin e infeksioneve.
Sipas OBSH-së, shumë vende janë ende larg përmbushjes së objektivave të përcaktuara nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë në vitin 2024, të cilat duhet të arrihen deri në vitin 2030.
Këto objektiva përfshijnë parandalimin e infeksioneve, përdorimin e barnave në spitale, kapacitetet për kryerjen e testeve dhe monitorimin e rezistencës ndaj ilaçeve.

