Bruksel, 16 nëntor, argument.mk/ – Spanja kërkon të përfshihet në diskutimet dhe vendimmarrjen për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë evropiane, duke theksuar se asnjë marrëveshje apo vendim për këto çështje nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e saj.
Këtë qëndrim e shprehu ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, i cili kërkoi gjithashtu që në proces të përfshihen edhe ministrat e Jashtëm të vendeve evropiane, si dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.
Sipas Albares, deri tani është vendosur që diskutimet të zhvillohen në nivelin e këshilltarëve për sigurinë kombëtare, ndërsa ministrat e Jashtëm nuk janë përfshirë në këtë format.
“Është vendosur një format në nivelin e këshilltarëve për sigurinë kombëtare. Ne, ministrat e Jashtëm, nuk jemi përfshirë dhe mendoj se herët a vonë do të duhet të përfshihemi”, deklaroi ai.
Ministri spanjoll vuri në dukje se në këtë proces mungojnë edhe disa aktorë të rëndësishëm institucionalë.
Sipas tij, përfaqësuesja e lartë e BE-së, e cila përfaqëson qëndrimin e Evropës në politikën e jashtme, duhet të jetë pa diskutim pjesë e diskutimeve.
Albares theksoi veçanërisht rëndësinë e përfshirjes së Spanjës, duke nënvizuar se çështjet që lidhen me sigurinë e Evropës dhe të ardhmen e Ukrainës, nuk mund të diskutohen dhe vendosen pa praninë e Madridit në tryezën e bisedimeve.
“Për Spanjën, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: nuk do të vendoset asgjë për sigurinë evropiane dhe asgjë që lidhet me Evropën dhe Ukrainën, pa qenë Spanja e ulur në atë tryezë”, deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll.

