Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila, ka bërë një deklaratë të pazakontë gjatë paraqitjes së saj të fundit në emisionin “Takohemi n’Vizion”, në Vizion Plus.
Artistja, e cila ka lënë gjurmë edhe në skenën prestigjioze të Sanremos, ka zbuluar se nuk ka televizor në shtëpinë e saj që nga viti 2002.
Një deklaratë kjo që ka habitur edhe bashkëbiseduesit në studio, duke qenë se televizioni vazhdon të jetë pjesë e përditshmërisë së shumicës së njerëzve. Elsa shpjegoi se nuk është një person që preferon të kalojë kohë para ekranit, duke ndjekur seriale, spektakle apo programe të ndryshme televizive.
Gjatë bisedës, ajo u pyet edhe se si kishte pranuar të bëhej pjesë e një formati televiziv si Ferma VIP që kërkon qëndrimin 24 orë para kamerave, duke qenë se nuk kishte pasur asnjë përvojë të mëparshme me reality show-t.
Këngëtarja tregoi se në fakt nuk kishte parë kurrë një format të tillë dhe nuk e dinte se si funksiononte, por kishte pranuar ftesën për ta përjetuar si një eksperiment të ri.
“Që në vitin 2002 nuk kam televizor. Nuk jam njeriu që ulem dhe shikoj një serial të gjatë apo spektakle televizive. Nuk kisha parë kurrë një reality show dhe nuk e dija se si funksiononte. Pranova ftesën për të qenë pjesë e këtij eksperimenti dhe nuk e ndieja fare veten sikur isha 24 orë para kamerave. Jetoja e qetë, ashtu siç do të jetoja edhe jashtë kamerave”, u shpreh Elsa Lila.
Deklarata e saj ka tërhequr vëmendjen, sidomos në një kohë kur televizori dhe përmbajtjet audiovizuale janë bërë pjesë e pandashme e jetës moderne.

