Uashington, 21 janar – Administrata e re e presidentit amerikan, Donald Tramp, do të fokusohet në një Evropë stabile dhe me prosperitet, e cila nuk mund të ndodhë pa një Ballkan Perëndimor stabil. Kështu për TVM vlerësojnë analistët amerikanë nga Fondacioni “Heritejxh” dhe Instituti Republikan Ndërkombëtar, të cilët po qëndrojnë në vend. Mes tjerash, ata theksojnë se presidenti i ri amerikan, do të fokusohet në zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon, duke përfshirë edhe gjetjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Bullgarisë për të zhbllokuar rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE, por edhe ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Administrata e re e Trampit do të mbështesë integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, për shkak të lidhjes së saj me stabilitetin e Evropës. Nuk duhet që ta lëmë vendin në një zonë të zezë. Ajo duhet të jetë pjesë e një Evrope të tërë, të lirë dhe me prosperitet. Më duhet të ngrit rëndësinë e një marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në BE. Nëse merret si shembull se sa administrata paraprake e Trampit ishte e kyçur në dialog mes Serbisë dhe Kosovës, është e pritshme që të kemi shumë më tepër investim në dialogun mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të zgjidhet kjo çështje.”, – deklaroi drejtori rajonal për Evropë në Institutin Ndërkombëtar Republikan, Pol Mekkarti.
“ShBA ka dy synime strategjike në Ballkanin Perëndimor. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme është që rajoni të jetë stabil. Ndodhet pas krahut lindor të NATO-s, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për parandalimin e Rusisë, por edhe për stabilitetin e Evropës. Pra, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Ne duam që vendet anëtare të NATO-s nga rajoni të jenë të prosperuara, sepse ato do të kontribuojnë më shumë në mbrojtje me rritjen e ekonomive të tyre. Së dyti, asnjë vend nuk duhet të jetë i varur strategjikisht nga Kina, gjë që do të minonte interesat kryesore të aleatëve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe evropianët. Prandaj, qëllimi i dytë do të jetë të punojmë me partnerët për të kufizuar ndikimin strategjik të Kinës në rajon.”, – theksoi këshilltari i lartë i presidentit të Fondacionit “Heritejxh”, Xhejms Karafano.
Gjëja më e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, duke marrë parasysh rëndësinë e saj gjeostrategjike, është fokusimi në drejtimet rrugore nga korridori lindje-perëndim, për shkak të lidhjeve infrastrukturore dhe transportuese që ka edhe komponentë ushtarakë, thonë analistët amerikanë.

