Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nisjen e punimeve në kantierin e autostradës Elbasan –Rrogozhinë, përkatësisht në lotin e parë, Elbasan – Papër – Ura e Grykashit, pjesë e Korridorit VIII.
Balluku informoi se shumë shpejt do të nisin në terren punimet për segmentin Kashar-Lekaj. Nga ana tjetër, Balluku tha se po negociohet për gjetjen e kredisë për ndërtimin e By Pass-it të Elbasanit.
Sipas Ballukut, Korridori i VIII ka një ndikim shumë të madh edhe në operimin e Portit të Porto Romanos, pasi do të jetë një port që do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut.
“Porti i ri do të ketë edhe një pjesë të rëndësishme që është ajo e NATO-s, ndaj Korridori i VIII është edhe korridor sigurie, ndaj parametrat e ndërtimit të korridorit janë shumë të rëndësishëm”.
Në kantierin e segmentit, Elbasan-Papër-Ura e Grykashit, pjesë e Korridorit VIII, po punohet me ritme të shpejta, e deri më tani janë kryer mbi 5% e punimeve.
Ndërtimi i autostradës Elbasan – Lekaj me një gjatësi prej 40.7 km, kap një vlerë 15 miliardë Lekë, ose 148 milionë Euro, përfshirë TVSH-në dhe është e ndarë në 6 lote, të cilat nisin në Elbasan kalojnë në Peqin dhe përfundojnë në Lekaj në afërsi të Rrogozhinës.
Kontrata për të gjashta këto lote pritët të përfundojë në Dhjetor të vitit 2026.