Të enjten, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Qeveria i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që rritja e çmimit të energjisë elektrike të jetë më e butë, duke ulur të hyrat e lejuara të kompanive.
Rizvanolli derisa komentoi zhvillimet e fundit, tha se është vështirë të shpjegohet se pse disa familje harxhojnë shumë energji, sidomos gjatë verës, transmeton Telegrafi.
“Një përqindje e familjeve shpenzojnë deri në 5 mijë e 6 mijë kWh në muaj dhe mbi 4 apo 5 mijë edhe gjatë muajve të verës. Është vështirë të shpjegohet përveç kriptovalutave apo prodhimi të drogës që është ilegale”, ka deklaruar ajo.
E rreth kësaj deklarate ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu. Ajo ka thënë se ministrja në detyrë ka sulmuar qytetarët.
“Për dështimet e veta fajësojnë qytetarët! Në kohën kur ka një indinjim të madh me paralajmërimet për shtrenjëtim të rrymës, ministrja në detyrë Artane Rizvanolli paska sulmuar qytetarët dhe bizneset, me aludimin se dikush mund të prodhoje drogë dhe kriptovaluta. Kishin premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike gjatë fushatës së vitit 2019, ndërkohë që sot për dështimet e tyre fajësojnë e akuzojnë qytetarët. Për marre”, ka shkruar Deliu në profilin e saj në Facebook.
Ndryshe, ZRRE ka paralajmëruar se tarifat e energjisë do të mund të rritën prej 15 %. Qytetarët kanë kundërshtuar ashpër këtë, e ku më 5 prill pritet të protestojnë në Prishtinë.
