Shkup, 8 shkurt – Për nesër është caktuar seanca kuvendore mbi propozimin e Qeverisë për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, por edhe të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Gjithashtu Qeveria dërguar letër deri te Kuvendi që në vend të Aliut, ministër të emërohet Naim Bajrami, ndërsa në vend të Mexhitit, Ilir Demiri.
Propozimet për shkarkimin e Mexhitit dhe Aliut dhe emërimin e Bajramit dhe Demirit, vijnë pasi ASH-ja, “krahu i Selës” i dorëzoi kryeministrit teknik vendimin e Komisionit partiak kadrovik për shkarkimin e dy ministrave, të cilët janë në “krahun” e kryetarit të partisë, Arben Taravari.
Më 28 janar, Qeveria teknike u votua me votat e 65 deputetëve.
Pas përçarjeve në Aleancën për Shqiptarët, deputetët e kësaj partie, Halil Snopçe dhe Abdulla Saliu janë në mbështetje të Taravarit.
Përveç këtyre dy deputetëve, nuk dihet nëse shkarkimin e ministrave do ta votojë deputeti i PDE-së, Bastri Bajrami, ai i PDSH-së, Menduh Thaçi, por edhe deputeti i pavarur, Hysni Ismaili.
“Është çështje që ka të bëjë me vendim politik për të cilin do të vendosin organet e PDE-së, konform atij vendimi do të jetë edhe vota ime”, tha deputeti Bajrami në përgjigje për TV21.
Ndërkaq kryetari i PDE-së, Arjanit Hoxha thotë se partia vendos sonte për këtë çështje.
“Sonte do kemi konsultime në Këshillin Drejtues dhe do marrim vendim”, na tha shkurt Hoxha.
Deputeti Ismaili tha se ende nuk ka vendosur.
“Nuk e di, s’kam vendosur ende”, tha Ismaili.
TV21 kontaktoi edhe me deputetin Menduh Thaçi, po i njëjti deri në momentin e publikimit të këtij informacioni, nuk na u përgjigj, megjithatë TV21 mëson se Thaçi ka gjasa që nesër fare të mos shkojë në Kuvend.