Prishtinë, 5 mars – Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, liderët institucionalë e kanë vlerësuar lartë sakrificën e familjes Jashari dhe të komandantit legjendar Adem Jashari për çlirimin e Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se komandanti legjendar Adem Jashari e ka hisen më të madhe në historinë e Kosovës. Ndërkohë që kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka deklaruar se të gjallët nuk mund t’i dalin hak heroizmit të familjes Jashari. Seanca ka nisur me intonimin e himtin të Kosovës dhe atij kombëtar. Ndërkohë që këngëtari Ilir Shaqiri ka interpretuar këngën “Sërish vjen marsi” e këngëtarja Shkurte Fejza këngën “Mora fjalë”.
Sot Kosova ka ushtrinë dhe policinë e vet, Shqipëria prej shumë më herët, kurse edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë rritur dukshëm përfaqësimin në ushtri e polici, si në horizontale, poashtu edhe në vertikale. Nëse na lejohet të bëjmë një analizë në këtë aspekt të përgjithshëm, pa keqkuptim prej të tjerëve, mund të themi se shqiptarët sot janë në pozitë shumë më të mirë se që kemi qenë kur jemi përballur me rrezikun e agresorëve.
Por ndoshta nuk bëhet analizë e mjaftueshme nga një prizm tjetër lidhur me gjendjen tonë si shqiptarë në ditët e sotme. Nuk bëhet krahasim i mjaftueshëm mes nivelit të vetëdijes kombëtare dikur dhe sot. Nuk bëhet asnjë analizë e thellë në këtë temë. Nëse rrethnata kanë qenë më të vështira, vetëdija ka qenë në nivel shumë më të lartë. Falë asaj vetëdije kemi pasur edhe rasti siç është ai i Prekazit, që bëri jehonë në mbarë botën, rast i paparë më herët i vetësakrificës në emër të lirisë, shkruan Zhurnal.
Po e përmendim këtë, sepse gjërat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë. Sot jemi në këtë situatë, nesër synojmë të jemi më mirë, sepse të gjitha zhvillimet shkojnë në favor të “shekullit shqiptar”.
Por çka nëse ndodh që të kthehemi edhe më keq se që kemi qenë? A kemi familje të gatshme të kontribuojnë për vendlindjen, siç kontriboi deri në vetësakrificë familja Jashari nga Prekazi. Në këtë kohë të pakohë, kur rrethanat ekonomike e politike po e detyrojnë dita-ditës rininë tonë të ikin nga vendlindja, duhet të mendojmë seriozisht nëse kemi ose jo ende në mesin tonë njerëz Adema e Hamzë Jashar! Duhet të punohet shumë që të kultivojmë figura me vetëdije të lartë si ta, jo vetëm për luftë, por edhe në të gjitha sferat tjera të jetës!
Osmani: Tani më shumë se kurrë na duhet uniteti për çështjet e interesit kombëtar
Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosovës tani më shumë se kurrë i duhet uniteti për çështje të interesit kombëtar. Në seancën solemne të Kuvendi të mbajtur me rastin e Epopesë së UÇK-së, ka thënë se uniteti është i vetmi mjet për ta forcuar shtetin. “Tani më shumë e kurrë na duhet uniteti për çështjet e interesit kombëtar është i domosdoshëm, sepse ai është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin tonë, integritetin e tij dhe për ta nderuar kujtimin e atyre që u sakrifikuan për Republikën tonë. Na takon neve ta shkruajmë kapitullin e ri të historisë së shtetit tonë, atë të zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës, Kosova është atdheu ynë që e meriton përkushtimin tonë të palëkundur”, është shprehur Osmani.
Ajo ka thënë se Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet. “Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet, ajo ishte epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë sonë, në të cilën me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme u dëshmua se liria nuk ka çmim të cilin nuk jemi të gatshëm ta paguajmë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se sot shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve tanë, shkruan Zhurnal.
“Sa herë vjen mars kujtimet tona natyrshëm rikthejnë në vëmendje periudhën më të lavdishme të historisë tonë që lidhet me përpjekjet tona për liri dhe shtet. Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, është shprehur Osmani. “Prandaj ‘Sërish vjen marsi’ nuk është më vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës sonë për liri dhe pavarësi, e cila identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë, komandantin e luftës sonë, familjen e tij, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Osmani.
Kurti: Adem Jashari e ka hisen më të madhe në historinë e vendit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, e ka hisen më të madhe në historinë e kombit, duke thënë se liria e tij individuale “e kishte përbashkuar kombin e tij deri në vdekje”.
Kurti ka thënë të martën në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së se liria ishte kushti i jetës dhe i vdekjes së Adem Jasharit. “Adem Jashari ka një hise të madhe që është hisja më e madhe që mund të ketë një njeri në historinë e vendit të tij…Ajo është hisja e një njeriut që brenda kohës së tij e qenies së tij vepruese, lirinë individuale e përbashkoi e kombin e tij deri në vdekje…Epopeja e UÇK-së e lufta e familjes Jashari përmbledh një trashëgimi të madhe politike e kulturore. Kosova u çlirua nga Serbia okupatore, nga një trashëgimi politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit, e nga po kjo trashëgimi po ndërtohet e po forcohet dhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura dhe rezistenca e armatosur dhe aktivizimi i kulluar politik, sidomos nga lidhja e Prizrenit që i ka karakterizuar shqiptarët. Rezistenca e Jasharëve të Prekazit është unike në vetvete. Por ajo nuk është pa referenca në historinë e shqiptarëve, nuk është e patrasueshme edhe më tutje edhe sot”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, këmbëngulësia e Adem Jasharit dhe e shokëve të tij luftëtarë “krijoi kushtet për mundësinë e çlirimit dhe shpalljen e pavarësisë”. “Sot në Kosovë liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari është bërë paradigma e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne”, ka shtuar ai para deputetëve.
Konjufca: Sakrifica e Jasharëve ngriti kombin në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe krenarisë
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se të gjallët s’mund t’u dalin hak heroizmit të familjes Jashari. Në fjalimin e tij në këtë seancë, ai ka përsëritur fjalët e heroit Hamëz Jashari: “Ne do të jemi këtu sepse s’kemi ku të shkojmë”.
“Për kombet në botë më e rëndësishmja është liria. Por vjen një pikë kur liria bëhet e barabartë me ekzistencën. Pikëprerja e lirisë me ekzistencën është dinjiteti. Ekzistenca pa liri është jetë pa dinjitet. Jeta bëhet jonjerëzore, jetë e pajetueshme. Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë. Jasharët në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës: Liri a vdekje”, ka thënë Konjufca. “Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip, rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri. Liria është si ajri, por ajo nuk rri pezull. Ajo ngrihet mbi themele të forta. Kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë. Siç thoshte Hamza ne do të jemi këtu sepse s’kemi ku të shkojmë. Guri peshon në tokën e vet. Themelet e lirisë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve. Kosovës në vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve”.
Konjufca ka thënë se rënia heroike e Jasharëve i dha jetë UÇK-së. “Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë UÇK-së e ushtria e njësuar me popullin e çliroi atdheun. Pavarësia është rezultat i këtij procesi. S’di kurrë sa janë të afta fjalët ta thonë krejt ngjarjen. S’di a mund ta kuptojmë plotësisht sakrificën. Druaj nëse vërtetë mund t’u dalim hak heroizmit të tyre. Por një gjë e di me siguri. Është e sigurt se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria”, ka deklaruar ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se lufta e Adem Jasharit është historia më e rëndësishme e popullit shqiptar.
Sipas tij, lufta heroike i ndërroi kahun tërë historisë. “Kjo ngjarje e ka edhe një funksion, atëbotë i dha shpresë një populli të tërë. Nuk kishte mundësi të dilej nga robëria, pos me luftë, sakrificë, heroizëm dhe martirizim”, ka thënë Tahiri. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se krisma e pushkës së Adem Jasharit ishte krisma e mbrojtjes së pragut të shtëpisë
“Zoti ishte dëshmitar i luftës së drejtë për liri, i mbrojtjes së pragut të shtëpisë, i luftës së drejtë shqip. Këtu e nga këtu, kurdo e kudo, përkulemi para veprës hyjnore të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari”, është shprehur Quni.
E kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se datat e marsit ishin kthesë e madhe.
“5, 6 dhe 7 marsi ishin kthesa e madhe aty ku ndryshoi ora e historisë e aty ku u bë një epokë. Oda e familjes Jashari u kthye në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, aty vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës, Pashtriku, Gollaku, Nerodimja, Karadaku e nga të gjitha trojet shqiptare”, u shpreh ai./Zhurnal
(Analizë e përgatitur nga ekipi ynë në Prishtinë)