Luboten, 12 gusht – “Sot, në fshatin Luboten, së bashku me familjarët e dëshmorëve, ish‑ushtarët e UÇK-së dhe banorët e kësaj ane, përkujtuam 12 gushtin 2001, një nga ditët më të dhimbshme për lubotenasit dhe të gjithë shqiptarët. Në mëngjesin e asaj dite, forcat policore‑ushtarake të shtetit ndërmorën një operacion të egër dhe të pajustifikuar, duke vrarë dhjetë civilë shqiptarë, mes tyre edhe 6‑vjeçarin Erxhan Aliu…” – shkruan në postimin e tij zëvendëskryeministri Arben Fetai.
Ai iu bashkua përkujtimit solemn ku u bënë homazhe për viktimat: Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri dhe Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili – emra që mbeten të gdhendur në kujtesën kolektive shqiptare.
Fetai nënvizoi se masakra e Lubotenit është rasti i vetëm nga lufta e vitit 2001 që u gjykua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës dhe u shpall krim lufte. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk është e mjaftueshme për të shëruar plagët që ka lënë kjo tragjedi.
Në përmbyllje të postimit, zëvendëskryeministri apeloi: “Të mos harrojmë kurrë që të mos përsëritet kurrë. Lavdi dhe nderim i përjetshëm për dëshmorët!”