Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë për muajin maj 2025.
Sipas njoftimi thuhet se të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,5 për qind në muajin maj 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 523,4 milion euro, krahasuar me deficitin prej 430,6 milion euro në vitin 2024.
Tutje në njoftim thuhet se eksporti mbulon importin me 13,5 për qind.
“Eksporti i mallrave në muajin maj 2025 kishte vlerën 81,4 milion Euro, ndërsa importi 604,7 milion Euro, që është një rënie prej (-0,5 për qind) për eksport, si dhe një rritje prej 17,1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024″, thuhet në njoftimin e ASK-së.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 24,4 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14,7 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura; 9,9 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 8,2 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj”.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit siç thuhet në njoftim 13,0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 12,3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,0 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,9% e përbëjnë produktet minerale; etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29,0 milion Euro, ose rreth 35,6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2,3 për qind.“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,5 për qind), Italia (3,5 për qind), Holanda (3,1 për qind), etj.
E, sa i përket importit të Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 265,1 milion Euro, ose 43,8 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,0 për qind.
“Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6 për qind), Italia (5,1 për qind), Polonia (5,1 për qind), etj.
Po ashtu ASK ka njoftuar se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34,5 milion Euro, ose 42,5 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13,0 për qind).
“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14,8 për qind), Shqipëria (13,6 për qind), Mali i Zi (6,5 për qind), Serbia (6,1 për qind).
“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,6 milion Euro, ose 11,5 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (3,7%), Serbia (3,4 për qind), Shqipëria (3,3 për qind)”.
Ndërsa, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,9 milion Euro, ose 21,9 për qind.
“Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3 për qind) dhe Turqia (4,1 për qind). Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 270,0 milion Euro, ose 44,6 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,4 për qind) dhe Kina (12,1 për qind).
Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin maj 2025, vizitoni: https://ask.rks-gov.net/Themes/ForeignTrade.

