“Sëpata” e Trump ka rënë edhe në ishuj të pabanuar, pa njerëz por me pinguinë, pa aktivitet biznesi dhe shumë më pak eksporte. Këto janë ishujt Antarktik, Heard dhe McDonald, një territor i jashtëm australian në jug të Oqeanit Indian, të cilët janë goditur me një tarifë prej 10%. Ose Ishulli Norfolk në verilindje të Sidneit ose ishulli norvegjez i Jan Maden.
“CNN” dhe “Guardian” analizuan listën e vendeve të goditura nga tarifat që presidenti amerikan njoftoi dje dhe zbuluan se “asnjë vend në tokë nuk është i sigurt”.
Ishulli Heard dhe ishulli McDonald janë të pabanuar, të listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, “80% i mbuluar me akull” dhe “të shkretë”. Aktiviteti ekonomik në thelb përfundoi në 1877, kur tregtia e vajit të fokave pushoi dhe popullsia braktisi ishujt përgjatë rrugës nga Madagaskari në Antarktidë.
Ishulli Norfolk, i cili ka një popullsi prej 2,188 banorësh dhe ndodhet 1,600 km në verilindje të Sidneit, u godit me një normë prej 29%, 19 pikë përqindje më të lartë se pjesa tjetër e Australisë.
“Ishulli Norfolk ka një tarifë 29%. Nuk jam plotësisht i sigurt, – tha kryeministri australian Albanese, – që Ishulli Norfolk është një konkurrent tregtar i ekonomisë gjigante të Shteteve të Bashkuara, por kjo tregon dhe ilustron faktin se asnjë vend në tokë nuk është i sigurt nga kjo.”
Në anën tjetër të planetit, ishulli i vogël norvegjez dhe ish-stacioni i gjuetisë së balenave Jan Mayen kishin tarifa prej 10%. Por askush nuk jeton atje përgjithmonë (disa personel ushtarakë) dhe ka ekonomi zero, sipas CNN, që e quan atë një ishull “të shkretë dhe malor”.