Në lidhje me raportet mbi operacionin e planifikuar ushtarak të Izraelit në Rafah, kryeministrat e Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re kanë thënë se kjo do të ishte “katastrofike” ndërsa i kërkuan Tel Avivit “të mos ndjekë këtë rrugë”, raporton Anadolu.
Kryeministrat e tre vendeve, përkatësisht Anthony Albanese, Justin Trudeau dhe Christopher Luxon, lëshuan një deklaratë të përbashkët të mërkurën në lidhje me raportet mbi operacionin e planifikuar ushtarak të Izraelit në Rafah, duke shprehur “shqetësim të madh” për këtë çështje.
Duke e përshkruar veprimin si “katastrofik”, udhëheqësit thanë: “Rreth 1,5 milion palestinezë po strehohen në zonë, në mesin e të cilëve ka shumë qytetarë tanë dhe familje të tyre”.
“Me situatën humanitare në Gaza tashmë të rëndë, ndikimet mbi civilët palestinezë nga një operacion shtrirë ushtarak do të ishin shkatërruese”, thuhet në deklaratë.
Kryeministrat i kërkuan Tel Avivit “të mos ndjek këtë rrugë”, duke u thënë se: “Thjesht nuk kanë ku të shkojnë civilët”.
Duke nënvizuar “konsensusin ndërkombëtar në rritje” për këtë çështje, deklarata e përbashkët këshilloi qeverinë izraelite që të “dëgjojë miqtë e saj” së bashku me komunitetin ndërkombëtar.
“Mbrojtja e civilëve është primare dhe kërkesë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, theksuan ata duke shtuar: “Civilët palestinezë nuk mund të detyrohen të paguajnë çmimin e mposhtjes së Hamasit”.
Udhëheqësit theksuan më tej nevojën për “një armëpushim të menjëhershëm humanitar” dhe lirimin e pengjeve nga të dyja palët.
“Nevoja për ndihmë humanitare në Gaza nuk ka qenë kurrë më e madhe”, paralajmëruan ata. “Civilëve duhet t’u ofrohet ndihma humanitare e shpejtë, e sigurt dhe e papenguar”.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka qenë e qartë: Izraeli duhet të sigurojë ofrimin e shërbimeve bazë dhe ndihmës thelbësore humanitare dhe duhet të mbrojë civilët”, thanë kryeministrat, duke rikujtuar se “vendimet e GJND-së për masat e përkohshme janë të detyrueshme”.
Deklarata theksoi se zgjidhja e dyanshme “është e nevojshme për të gjetur një rrugë drejt sigurimit të paqes së qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët”.
Ata i bënë thirrje Hamasit që të “braktisë armët dhe të lirojë menjëherë të gjithë pengjet”.
“Ne përsëri dënojmë pa hamendje Hamasin për sulmet e tij terroriste ndaj Izraelit më 7 tetor”, kritikuan ata.
“Në fund të fundit, nevojitet një zgjidhje politike e negociuar për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme”, theksuan ata.
“Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re mbeten të palëkundur në angazhimin e tyre për zgjidhje me dy shtete, duke përfshirë krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit, ku palestinezët dhe izraelitët do të jetojnë krah për krah në paqe, siguri dhe dinjitet”.
Izraeli filloi sulmet ndaj Rripit të Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, duke vrarë të paktën 28,576 njerëz dhe duke plagosur 68,291 të tjerë.
Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së territorit të zhvendoset brenda enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.