Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë vizitës në Romë zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme dhe Çështjet Europiane të Dhomës së Deputetëve, Giulio Tremonti.
Gjatë takimit, Balla ka diskutuar me Tremontin lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit mes komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Italian.
“Marrëveshje bashkëpunimi mes komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Italian (Dhoma e deputetëve dhe Senat), për çështje të interesit të përbashkët dhe politikat europiane” shkruan Balla në rrjete sociale.
Marrëveshja synon të forcojë lidhjet institucionale mes dy parlamenteve, shkëmbimin e përvojave legjislative dhe në koordinimin e politikave europiane, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Partneriteti mes komisioneve parlamentare pritet të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit të Shqipërisë dhe në rritjen e transparencës e efikasitetit ligjvënës, duke u frymëzuar nga modeli italian i funksionimit parlamentar.
Marrëveshja e nënshkruar pritet të konkretizohet me plane pune të përbashkëta, vizita të ndërsjella të delegacioneve parlamentare dhe projekte të përbashkëta në fushën e politikave europiane.
Ky është një hap i rëndësishëm diplomatik dhe parlamentar, që tregon se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë nuk mbetet vetëm në nivel qeveritar, por shtrihet edhe në fushën legjislative, duke forcuar dimensionin institucional të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Balla në takim shoqërohej nga deputeti demokrat Saimir Korreshi dhe deputeti socialist Skënder Pashaj.