Shkup, 3 qershor – Në një postim të bërë sot, ish ministri i Punëve të Jashtme dhe zyrtar i lartë i BDI-së, Bujar Osmani, bëri të ditur se Bashkimi Demokratik për Integrim do të propozojë zyrtarisht lista të hapura për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, transmeton Flaka
“Qytetarët duhet të kenë të drejtë të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe kandidatin që do t’i përfaqësojë. Kjo është mënyra më e drejtë për të fuqizuar votuesin dhe për të garantuar përfaqësim real në Kuvend,” deklaroi Osmani.
Po cilat janë përparësitë e listave të hapura?
Fuqizim i votuesit: Votuesit marrin më shumë kontroll mbi përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë, duke i zgjedhur vetë individët që do të ulen në Kuvend.
Rritje e transparencës: Kandidatët do të duhet të fitojnë besimin e votuesve me vlera, angazhim dhe integritet personal, e jo vetëm përmes renditjes partiake.
Kundër klientelizmit: Listat e hapura reduktojnë hapësirën për emërime partiake bazuar në lidhje politike, duke nxitur meritokraci në politikë.
Llogaridhënie më e madhe: Deputetët e zgjedhur drejtpërdrejt janë më të ndjeshëm ndaj kërkesave të qytetarëve dhe jo vetëm ndaj strukturave partiake.
Ky propozim, nëse pranohet nga spektri më i gjerë politik, mund të sjellë një transformim të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të demokracisë parlamentare në Maqedoninë e Veriut.