Shkup, 28 qershor– Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mosbesim dhe shqetësim të thellë për vendimin e qeverisë me legjitimitet njëetnik, për të ndryshuar formulën “balancues” që përcakton përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve etnike para se ta zhbëjnë atë tërësisht.
Duke injoruar të dhënat e regjistrimit të fundit që tregojnë se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, kjo qeveri ka vendosur të rikthejë përqindjen nën 25%, bazuar në të dhënat e regjistrimit të 20 viteve më parë”, thuhet ne reagimin e BDI-së.
“Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejte, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërkohë, humbësit e zgjedhjeve dhe partnerët e Stoilkoviqit, të kapur dhe të pafuqishëm, vëzhgojnë në heshtje por edhe aktivisht kontribuojnë në degradimin e përditshëm të pozitës së shqiptarëve”, vijon reagimi i BDI-së
“Kjo është pasojë e qartë e faktit se ata nuk janë përfaqësuesit e votuar të komunitetit shqiptar, por partneri i preferuar i VMRO DPMNEsë, duke vënë në plan të parë pozitat, edhe pse kanë marrë vetëm thërrime nga institucionet e zhveshura nga kompetencat.
Bashkimi Demokratik për Integrim është i vendosur të mbrojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe barabartë të të gjitha komuniteteve etnike dhe nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të cenuar arritjet e rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit”, mbyllet reagimi i BDI-së.
Nëse reagimin e BDI-së e lexon dikush që nuk i njeh rrethanat në vendin tonë, ose i njeh vetëm sipërfaqësisht, reagimi i BDI-së është i drejtë dhe i bazuar që nga shkronja e parë, deri te shkronja e fundit. Mirëpo opinioni ynë, që përcjellë me vëmendje zhvillimet në dydekadëshin e fundit në skenën politike, do të gjen shumë mangësi në reagimin e BDI-së, shkruan Zhurnal.
Mangësia kryesore gjithsesi është përfaqësimi real i shqiptarëve në institucione. Për 22 vite, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ky përfaqësim ende është larg “përfaqësimit të drejtë” që e parasheh kjo marrëveshje. Gjithsesi nuk duhet harruar se përfaqësimi i drejtë duhej mbyllur si proces deri në vitin 2007. E dimë se opozita te ne, si në çdo vend tjetër demokratik, ka të drejtë të kritikon pushtetin dhe kjo e drejtë nuk i mohohet as BDI-së si parti opozitare.
Megjithatë edhe vlerësimet më optimiste flasin se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar më shumë se 22 mijë në institucione. Merne kalkulatorin dhe bëjeni llogarinë me 178 mijë të punësuar në institicionet e vendit, përfaqësimi nuk do ju dalë më i lartë se 14 përqind, madje edhe nëse kalkulatori është i prishtë dhe shifrat gabimisht i nxjerr pak më të larta. Dmth. gjithkush ka të drejtë të kritikon përfaqësimin dhe balancuesin, por jo ata që për 20 vite nuk e çuan më lartë se 15 për qind edhe pse kishin rastin historik ta bëjnë këtë.
Reagimi i BDI erdhi ndaj deklaratës së ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, njoftoi se ka filluar faza e parë e shfuqizimit të balancuesit, apo veglës e cila mundëson dhe mban llogari për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve etnike në institucionet shtetërore, shkruan Alsat.
“Shfuqizimi i balancuesit do të shkojë në faza. Kjo është faza e parë që të kthehemi në bazat ligjore të regjistrimit të vitit 2021, ndërkaq më pas me ligj dhe ndryshim të metodologjisë do të shkojmë drejtë shfuqizimit të plotë të veglës balancuesi, gjatë së cilës në tërësi do të respektohet vlera themelore e Kushtetutës, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve etnike”, tha Stefan Andovkoski, ministër i Transformimit Digjital.
Ai informoi se tani, balancuesi do të vlejë vetëm për personat rezident, ndërkaq ata që janë regjistruar jashtë vendit nuk do të jenë pjesë e veglës.
“Mu prej sot mund të informoj se numrat në kuadër të veglës digjitale balancues, janë ndryshuar t’u përgjigjen rezultateve të Regjistrimit, vetëm të popullatës rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Që do të thotë se personat e të ashtuquajtur, të regjistruar në shtete si Itali, Zvicër, Gjermani e kështu me radhë, nuk do të jenë pjesë e veglës digjitale balancues për punësim në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Stefan Andovkoski, ministër i Transformimit Digjital.
Derisa kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron shfuqizimin e plotë të balancuesit, nga partneri qeveritar VLEN, kanë paralajmëruar disa herë se shfuqizimi i balancuesit do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komunisteve në institucionet shtetërore.
Çështja e shfuqizimit të balancuesit tanimë një kohë të gjatë është temë debati, pasi në periudhën e kaluar është keqpërdorur shumë. Respektivisht, ka pasur shumë raste kur qytetarët rrejshëm janë paraqitur si pjesë e një komuniteti tjetër vetëm për t’u punësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka mekanizma ligjor këtë për ta parandaluar këtë keqpërdorim.
Kritika ka pasur edhe për qasjen e përparësisë së përkatësisë etnike para cilësive të kandidatëve. Qëllimi kryesor i këtij instrumenti qe bazohet në Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutë është që të parandalojë diskriminimin në bazë etnike gjatë punësimeve./Zhurnal

